Bleu 1 mijë euro drogë dhe nuk e pagoi, 4 shqiptarë marrin peng dhe dhunojnë bashkëkombësin e tyre në Itali
Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë rrëmbyer, rrahur dhe grabitur bashkëkombësin e tyre.
Mediet italiane raportojnë se dy shqiptarët me banim në Xhenova, një 27 dhe tjetri 30 vjeç janë arrestuar me akuzën e grabitjes, rrëmbimit dhe zhvatjes të kryer ndaj një të riu.
Arrestimet erdhën në përfundim të një aktivitetit hetimor kompleks të kryer nga karabinierët.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim dy vëllezërit shqiptarë 30 dhe 33 vjeç. Sipas mediave të dy akuzohen për rrëmbim, grabitje e zhvatje ndaj një bashkëkombësit të tyre.
Hetimi nisi me denoncimin e shqiptarit, i cili dhjetorin e kaluar pësoi një sulm të dhunshëm nga të dyshuarit teksa ecte në qendër të Loanos.
Hetimet e mëvonshme dhe marrja në pyetje e disa dëshmitarëve lejuan zbardhjen e kësaj çështjeje.
Pse nisi sherri?
I riu, në vitin 2017 kishte blerë një mijë euro marijuanë nga grupi kriminal, por për shkak të problemeve ligjore nuk e kishte paguar plotësisht. Dyshohet se kjo çështje solli lindjen e një sërë episodesh zhvatjeje që kulmuan me rrëmbimin dhe sulmin.
Dy të arrestuarit u transferuan në burgun e Xhenovas.

