IA DOLEN! ARRSH kthen rrugën e Rinasit me dy sense lëvizjeje
Janë dashur katër ditë proteste nga banorët e zonës së aeroportit të Rinasit për të lejuar kalimin me dy sense në rrugë.
Familjarët së bashku me fëmijët e tyre tubuan sërish sot (5 maj) duke ngritur shqetësimin se vendimi i njëanshëm i ARRSH-së për rrugën u ka kufizuar të drejtat.
Pas 40 minutash protestë institucioni i rrugëve u ka dhënë të drejtë dhe u tërhoq, ndërsa qarkullimi u kthye në normalitet edhe pse nën monitorimin e policisë për shkak të numrit të protestuesve
Vendimi është pritur me duartrokitje, teksa dhe fëmijët kanë shprehur kënaqësinë për rikthimin në mësime
Pas protestës fëmijët nxituan të kapnin orët mësimore.
"Sikur na u hapën dyert e shtëpisë" thotë një banore.
Makinat kalonin duke i rënë borisë në shenjë solidariteti.
Katër ditë më parë ARRSH vendosi që rruga drejt aeroportit të ishte me një kalim. Një vendim i tillë ua vështirësonte shumë jetesën e tyre të përditshme.
NJOFTIM
Kthehet në gjendjen e mëparshme Rruga e Rinasit, qarkullimi do të vijojë me dy sense lëvizjeje deri në një zgjidhje përfundimtare me qëllim lehtësimin e trafikut në segmentin Qafë Kashar-Rrethrrotullimi i Rinasit-Ahmetaq.
Apel ynë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu të përdorin akset alternative për të mos rënduar trafikun në rrugën që të çon drejt aeroportit të Rinasit.
Udhëtarë/turistët që marrin fluturimet të marrin në konsideratë fluksin e lartë të mjeteve në këtë aks duke përllogaritur orarin e nisjes.

