Albin Kurti: BE të jetë e kujdesshme me Serbinë. Vendet autokratike kur blejnë armatim s’e bëjnë për parada por për ta përdorur në luftën agresore kundër fqinjëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Berlin, ku u takua me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz. Në një intervistë për DW ai foli mbi Procesin e Berlinit, dialogun e marrëdhëniet me Serbinë.

Ndër të tjera Kurti i bëri thirrje BE-së të jetë e kujdesshme me Serbinë që të mos lejojnë më që Serbia të ulet në tri-katër karrige.

DW: Ballkani vazhdon të ketë provokime nga ana e Rusisë. Ju keni folur për luftë hibride. A shihni ndonjë rrezik që kjo luftë hibride të kthehet në luftë reale edhe në Ballkan?

Albin Kurti: U dëshmua që lufta hibride nuk e zëvendëson luftën, por e përgatit atë, dhe, në anën tjetër, gjithashtu u dëshmua që vendet autokratike, kur blejnë armatim, këtë nuk e bëjnë për parada ceremoniale ushtarake, por e bëjnë pikërisht, për ta përdorur atë armatim në luftën agresore kundër fqinjëve. Andaj, jemi shumë të kujdeshëm, e shumë vigjilentë, po e ndjekim se çfarë ndodh atje, afër tre për qind e brutoproduktit vendor bëhet për investime dhe shpenzime për ushtri, me ç'rast blejnë armatim, ose marrin donacione nga Rusia, Bjellorusia dhe Kina, dhe rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë, tashmë janë 48 baza ushtarake, të cilat e rrezikojnë sigurinë dhe paqen në vendin tonë, Mirëpo me kapacitetet tona shtetërore, me faktin që ndonëse nuk jemi në NATO e kemi NATO-n në Kosovë, dhe ndonëse nuk jemi në Bashkimin Evropian edhe Bashkimin Evropian e kemi të integruar në Kosovë ne megjithatë jemi të sigurt.

Por, në fqinjën tonë veriore, në Serbi, dihet që Gazpromi ka shumicën e aksioneve në industrinë e naftës. Në Nish është qendra humanitare ruse, dhe ata kanë marrëveshje të tregtisë me Federatën Ruse dhe janë pjesë e Unionit Euroaziatik Ekonomik, që udhëhiqet nga Moska. Pra, lidhjet i kanë të shumëfishta, i kanë të thella, dhe unë mendoj që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja duhet të jenë të kujdesshëm që të mos lejojnë më që Serbia të ulet në tri-katër karrige. Në të njëjtën kohë duhet ta vlerësojnë kontributin e Kosovës, e cila nuk ka alternativë tjetër dhe nuk do të ketë kurrfarë projektesh paralele përveç BE-së dhe NATO-s.

Bisedën u zhvillua nga gazetarja Anila Shuka.