"Vijnë prej T'arushes e kalojnë në katund tonë e ne s'kalojmë dot. Ky është shtet mafioz puro" Indinjata e banorëve të Rinasit
Banorët e Rinasit po protestojnë paqësisht edhe pse janë të rrethuar nga policia ndërsa forcat e FNSH-së janë në gadishmëri për të ndërhyrë nga moment në moment.
Ata protestojnë për të drejtën e tyre ndërsa shprehen të indinjuar pasi vendimi për kalimin me një sens është bërë pa pasur parasysh interesat e tyre dhe pa pyetur komunitetin.
“Nuk jemi kriminelë. Nuk ke ku e çon njeriun e vdekur. Vetëm të hapësh gropën në oborr. Çdo banese të ketë gropat e veta” thotë një banor.
“Të vijnë prej t’arushës dhe të kalojnë në katund tonë e ne të mos kalojmë në katund tonë?! Kjo s’ka bërë vaki. Unë kam marketin e lagjes 100 metra do të dal në Vorë të blej bukë. Muhabet do bëjmë. 2500 lekë nafta!” thotë një banor tjetër
Ata shprehen kundër bllokimit të rrugës dhe bërjen e saj me një sens.
“Nga lapidari tek rrethrrotullimi nuk ke arsye pse të bllokosh rrugën. Kjo është rrugë nacionale. Nuk ke si të manovrosh. Nuk jemi në Shangai. Jemi popull i vogël. Këtu është shtet mafioz sjellin policinë me skafandra.
Taksat i paguan që shteti të të lehtësojë jetesën por këta të bllokojnë të gjitha rrugët. Ky është shte mafioz puro”
“Dum rrugën. Nuk duam asgjë tjetër. E kam shtëpinë 5 metra me dal duhet me ba 5 mijë metra.
Pse nuk erdhi shteti të shohë si është ky fshat. Ne nuk kemi një farmaci. Për të bllokuar rrugën për të mbushur xhepat e vet e bëjnë. Ndërsa për rrugën të vënë hekrat, fshati thonë të ikë ku të dojë”
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se nga 1 Maji, lëvizja drejt Aeroportit të Rinasit do të realizohet me një sens lëvizje me drejtimin nga aksi Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq.
Banorët thonë se me këtë vendim bllokohen gati 10 fshatra ndërkohë që nafta është rritur ndjeshëm, mes tyre Qekrezë, Tapizë, Nikël, Fushë Prezë, Fushë Krujë.


