Lavrov: Rusia nuk synon të përfundojë luftën më 9 Maj

Rusia nuk do të festojë këtë vit Ditën e Fitores kundër nazistëve në 9 maj duke përfunduar të ashtuquajturin operacion special në Ukrainë.

Kështu ka deklaruar ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov pas zërave se Moska do të përdorte 9 majin si ditën që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë për t’ia servirur popullit rus si një fitore të madhe.
Lavrov ka thënë se ushtria ruse nuk do ta përfundojë artificialisht të ashtuquajturin operacion special në Ukrainë duke iu përshtatur ndonjë date të shënuar.

Lavrov: Ushtria jonë nuk do t’i përshtatë artificialisht veprimet e saj rreth asnjë date, përfshirë edhe Ditën e Fitores në 9 maj. Ritmi i operacionit në Ukrainë varet, para së gjithash, nga nevoja për të minimizuar çdo rrezik për popullatën civile dhe për personelin ushtarak rus.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Rusia zakonisht shënon Ditën e Fitores me një paradë të madhe ushtarake në qendër të Moskës dhe me një fjalim të presidentit Vladimir Putin, që përshëndet rolin udhëheqës të vendit të tij në mposhtjen e fashizmit në Evropë që i dha fund edhe Luftës së Dytë Botërore.

Festimet e këtij viti vijnë nën hijen e agresionit rus në Ukrainë, të cilin Putin e ka justifikuar me gjoja denazifikimin dhe çmilitarizimin për të shpëtuar popullatën rusisht folëse atje.

Rusia ka thënë se mbi një mijë ushtarë të saj janë vrarë, por Ukraina pretendon se humbjet e Rusisë janë 20 herë më të mëdha.