'Mushkëritë' e Mesdheut në rrezik!

Nën ujërat e Mesdheut jashtë Tunizisë, livadhet e gjelbërta me bar ofrojnë habitate detare jetike për flotat e peshkimit dhe mbrojnë nga erozioni plazhet nga të cilat varet industria e turizmit.

Por, ashtu si veprimet njerëzore në tokë me dëmtimin e pyjeve, shkencëtarët paralajmërojnë se aktiviteti njerëzor po e çon barin nën det drejt shkatërrimit me shpejtësi, me ndikime të tmerrshme mjedisore dhe ekonomike.

Ahmed Ben Hmida, inxhinier detar në Agjencinë e Mbrojtjes dhe Zhvillimit të Bregdetit të Tunizisë thotë se po merren masa për mbrojtjen.

"Sot, në Tunizi do të krijojmë katër zona të mbrojtura detare dhe bregdetare që janë ishujt Galite, Zembra, Kuriat dhe Kneiss, me një ligj që do të botohet në gazetën zyrtare. "

Biologia detare, Yassine Ramzi Sghaier paralajmëron edhe pasoja ekonomike: "Peshkimi është i lidhur ngushtë me gjendjen e livadheve në brigjet tuniziane dhe do të ndikonte drejtpërdrejt në sektorin e turizmit. Dhe nëse nesër nuk do të ketë më gjelbërim nën ujë, rrezikojmë të kemi probleme ekonomike më serioze se ato që po shohim aktualisht."

Edhe peshkatarët thonë se gjithçka ka ndryshuar.

Mazen Magdiche, flet edhe për pasojat nëse zhduket: "Vendet ku ne peshkonim, 100 metra larg bregut, kanë ndryshuar, veçanërisht në breg, ku dikur kishte bar. Deti është prekur jashtëzakonisht dhe ne nuk mund të kapim mjaftueshëm peshk për të siguruar jetesën si më parë. Ne nuk e kemi mbrojtur detin, dhe jo vetëm ne peshkatarët, por edhe shteti".

Industria e peshkimit në këtë zonë është në rrezik, ndërsa me dhjetëra peshkatarë ushqejnë familjet e tyre vetëm me këtë zanat.