Dita e fundit e agjerimit, Spahiu: Të mbyllim konfliktet e hapura, të jetojmë në paqe

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, përmes një deklarate për mediat ka përshëndetur besimtarët në mbylljen e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Duke uruar festën e Fiter Bajramit ai e  ka vënë theksin te rëndësia e kësaj dite.

Spahiu edhe një herë ka theksuar rëndësinë e agjerimit në muajin e Ramazanit

Në deklaratë kreu i Komunitetit Mysliman shqiptar nuk harroi të lutej për paqen në Ukrainë.

Më herët është bërë e ditur se Namazi i Fitër Bajramit do të falet në sheshin "Skënderbej në orë 06:20.

Mesazhi i plotë

Të dashur motra dhe vëllezër!

Maratona jonë shpirtërore dhe fizike e këtij muaji, agjërimi, mbërriti në fund.

Për një muaj kemi ndarë me njëri-tjetrin sofrat në iftar e në syfyr, jemi lutur për vetet tona, por edhe për njëri-tjetrin.

Zoti i gjithësisë na e pastë pranuar agjërimin, lutjet dhe të gjitha adhurimet gjatë këtij muaji të bekuar Ramazani të cilin po e përcjellim sot.

Nesër kemi festë, kemi Fitër Bajram!

Bajrami nuk është festa e heqjes së kufizimit për të ngrënë e për të pirë.

Bajrami është festë e përmbylljes me sukses, me lejen e Zotit, të një rrugëtimi të përsosjes shpirtërore.

Bajrami është lumturia që ne ndiejmë me plotësimin e agjërimit të Ramazanit si dhe falenderimi ndaj Zotit për mirësitë e Tij mbi ne dhe që na përudhi të agjërojmë.

I Lartmadhëruari ka thënë: “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun, për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El-Bekare).

Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke qenë i bindur në shpërblimin e Zotit, atij i falen të gjitha gabimet e kaluara.”

E lusim Zotin të na ketë falur të gjitha mëkatet, ashtu siç Ai na ka premtuar.

E lusim Zotin t’u ketë pranuar nijetin të gjithë atyre që nuk mundën të agjërojnë këtë muaj për shkaqe shëndëtesore.

E lusim Zotin ta begatojë me paqe dhe stabilitet vendin tonë.

Të furnizojë popullin tonë dhe gjithë botën mbarë në këto kohëra vështirësish të mëdha.

E lusim Zotin për paqe anë e kënd botës, konfliktet e hapura të mbyllen sa më parë dhe popujt të jetojnë në paqe e mos të vuajnë pasojat e luftërave.

Ju uroj përzemërsisht, agjëruesve në veçanti dhe mbarë shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, Gëzuar Fitër Bajramin!

H. Bujar Spahiu

Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë