"Ju afrova për interes e më pas e dashurova", aktorja nga Kosova rrëfen si u njoh me bashkëshortin
Flutura Gashi Tanushi është aktorja simpatike nga Kosova e cila ka shkëlqyer në zhanerin e komedisë. E lindur dhe e rritur në Prishtinë, pasioni për artin tek ajo lindi hershëm. Në vitet kur vendimi për të zgjedhur rrugën e jetës bëhet paksa i vështirë, për Fluturën nuk ishte aspak ashtu.
Ajo e dinte se aktrimi do të ishte e ardhmja e saj . Flutura pasi përfundoi Akademinë e Arteve në Prishtinë, në degën e aktrimit menjëherë filloi të angazhohej në jetën artistike të vendit. Aktorja është e njohur për pjesëmarrjen në disa seriale, vepra teatrale dhe filma. Show satiriko-humoristik “Përrallë me tupana” e ka bërë të njohur aktoren duke i hapur dyer edhe për të tjera projekte.
E ftuar në emisionin ‘Jeto me orën” Flutura Gashi na rrëfeu se edhe pse ajo i përket fesë myslimane dhe bashkëshorti i saj Simon Tanushii, asaj të krishterë, përsëri kjo gjë nuk i ka ndarë madje, harmonia fetare mbizotëron në familjen e tyre. Për sa i përket njohjes së Fluturës me Simonin ajo rrëfeu se “Fillimisht me Simonin kemi qenë shokë, edhe pse i jam afruar për interes për shkak të skenareve dhe punës që ndanim bashkë, dhe përveç kësaj ai është mbështetësi im më i madh pasi më ka ndenjur gjithmonë afër”.
Edhe pse përkatësia e tyre fetare ka qenë e ndryshme, kjo gjë nuk i ka penguar në lidhjen e tyre dashurore. Madje Flutura ndihet e lumtur që po rrit një vajzë e cila po rritet midis dy feve të ndryshme. Një gjë që Flutura e thekson është se në familjen e tyre festohen të gjitha festat dhe ndihet shumë e lumtur kur bashkëshorti e ndihmon që të gatuajë ëmbëlsirat e Bajramit së bashku.
Një tjetër kënaqësi e veçantë për Fluturën është edhe bashkëpunimi i saj në punë me Simonin dhe ajo shprehet se ‘Në momentin kur Simoni nuk është në punë unë nuk punoj dot edhe ndihem shumë e pasigurt”. E nëse kthejmë vëmendjen te pjesa artistike Flutura Gashi thekson se “Të jesh artist në Kosovë në këtë rast aktor është shumë e vështirë pasi arti nuk vlerësohet, nuk paguhet dhe është shumë kufizues”.

