Një jetë mes Holandës dhe Tiranës, artistja Luzi flet për projektet e reja: Do risjell një këngë të vjetër shqiptare

Alisa Opari Luzi është artistja shqiptare e cila edhe pse ka lindur dhe është rritur në Holandë, nuk është shkëputur asnjëherë nga rrënjët e saj shqiptare.

Me artin e saj ajo flet shqip dhe këtë e bën gjithmonë krenare kudo. Alisa me nënën tiranse dhe babanë korçar ka arritur të ruajë më së miri traditën dhe kulturën shqiptare. Tashmë ajo është një emër i suksesshëm në fushën e muzikës në Holandë.

Alisa në moshë fare të vogël është marrë me balet, aktrim dhe muzikë. Ishte 17 vjeçe kur ajo performoi në një nga teatrot  më të mëdhenj në Holandë. E reja ka kryer studimet e larta për muzikë në Amsterdam. Kritika e ka cilësuar Alisën si një këngëtare që veçohet për ngjyrat e veçanta të zërit të saj. Pozitiviteti, energjia dhe ambicia për të shkuar përpara kanë bërë që kjo shqiptare të njihet si një nga këngëtaret profesioniste  në tregun muzikor holandez.

E ftuar në “Jeto me Orën”, në RTV Ora, Alisa zbuloi se këtë herë është rikthyer për një projekt të ri.

“Njerëzit në Shqipëri janë më të ngrohtë sesa në Holandë. Këtu më sjell familja përveç projekteve. Në Holandë kam vetëm prindërit.”

Kur isha 4 vjeçe kam shkuar në balet. Mami ka qenë shtysë për artin sepse edhe ajo ka studiuar për violinë. Kam luajtur për shumë “musicals”. Që 5 vjeçe kam qenë e bindur se muzika do të ishte gjëja ime.

Kënga ime e parë ishte shumë personale. Çdo njeri e ka një kohë kur nuk ndihet mirë me veten. Është xhiruar në Tiranë, më ka marrë një ditë. Është këngë e veçantë për mua”.

Kënga “Distance” është xhiruar në Amsterdam, në kohën e pandemisë. Edhe kjo këngë ishte për mallin e Shqipërisë. Kuptova gjatë pandemisë sesa e vështirë është, sa larg jemi në fakt.

Kënga “Tirana”, i dedikohet asaj. Këtu e kam zemrën.Unë jam me fat që mund të ndjej këtë dashuri për Tiranën”.

Mua më frymëzon çdo gjë, duhet të jemi pozitivë me çdo gjë.

Aktualisht merrem me kanto, kërcim dhe aktrim në Holandë. Punoj me grupmoshat nga 4 deri në 24 vjeç.

Tani po pres të bëj një këngë të re. Do bëj dhe një “cover” të një kënge të vjetër.