Mësuesia po lëngon, pedagogia: Pa edukatorë të mirë në 9-vjeçare dhe arsimin e mesëm s'mund të kemi produkt në arsimin e lartë

Futja e mesatares po rrezikon seriozisht degën e Mësuesisë në Universitetin e Elbasanit. Shqetësimi erdhi nga Sonila Daiu në tryezën për arsimin me pedagogë të universiteteve të vendit.

Daiu: Qyteti i Normales, qyteti i mësuesve të përkushtuar që linin gjurmë shumë të forta te nxënësit e tyre dhe qyteti i djepit të arsimit fatkeqësisht sot po lëngon burimin dhe vazhdimësinë e fushës së mësuesisë. Zoti Berisha doja të ndaja me ju një shqetësim shumë të madh që ky qytet po ndan dhe besoj se edhe Shqipëria, po lëngon mbushjen e auditoreve të ndryshme në fakultetin tonë me studentë të mësuesisë.

Mungojnë politika të theksuara për të drejtuar nxënësit që në thelbin e  tyre në gjimnaze, këshillimi i karrierës. Vetë mësuesit në gjimnaze apo 9-vjeçare bëjnë politika denigruese të figurës së mësuesit jo se duan por duke pasur parasysh se ata kanë patur një kalvar jo shumë të mirë të figurës së tyre, automatikisht nuk i drejtojnë këta nxënës në fushën e mësuesisë. Një nga çudirat e fundit ishte një akt normativ ku është ulur mbi 15 mln buxheti për arsimin.

Në 2022 buxheti është 3.5% e GDP ndërkohë që parashikimi i mazhorancës ishte 5%. Në vend që drejtojmë politika drejt mësuesisë ne vazhdojmë dhe heqim të ardhurat dhe fondet në arsim që është një shkelje shumë e rëndë për ardhmërinë. Këtu ka shumë prindër dhe gjyshër që janë në pikëpyetje se cilët do të jenë mësuesit apo edukatorët e arsimit parauniversitar për të ardhmen.

Zoti Berisha do ju kërkoja më shumë përzemërsi që të ngrihen politika të ndryshme për drejtimin  dhe fokusin e të ardhmes në Fakultetin e Edukimit, Mësuesinë. Pa pasur edukatorë shumë të mirë që në baza, që në formimin deri në moshën 6 vjeçare dhe më pas në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm ne nuk mund të kemi produkt në shkollat e larta.