Zgjerimi evropian ‘ngec’ në Sofje, Varhelyi: Ndihem i zhgënjyer, do vij përsëri në Bullgari

Eurokomisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi ka marrë një shuplakë nga Bullgaria e cila nuk ka ndërmend që të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, nëse Shkupi nuk përfshin bullgarët në Kushtetutë. Varhelyi tha se do të vinte sërish në Sofje në mënyrë që në qershor Tirana e Shkupi të marrë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare.

Bullgaria nuk ka ndërmend t’i lëshojë asgjë Maqedonisë së Veriut sa i përket hapjes së negociatave, nëse Shkupi nuk ndryshon Kushtetutën.

Nga Bullgaria, eurokomisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi tha se ndihet i zhgënjyer nga Sofja që ende nuk ka në plan që të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, për të cilën premtoi se do të intensifikojë vizitat në rajon për të bërë të mundur marrjen e një date për Konferencën e parë ndërqeveritare në qershor të këtij viti për Shkupin e Tiranën.

Varhelyi: Pyetja kryesore është se kur do të fillojmë të punojmë për anëtarësimin real të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Nuk mund ta fsheh faktin se jam jashtëzakonisht i zhgënjyer që kjo çështje është ende në rend dite. Menduam se e zgjidhëm dy vjet më parë. Të gjitha shtetet anëtare duhet të besojnë në fuqinë e procesit të zgjerimit. Unë isha në Sofje dy ose tre javë më parë dhe tani jam përsëri këtu dhe do të jem gjithmonë i lumtur të vij në Sofje aq shpesh sa të jetë e nevojshme për të marrë një vendim në qershor të këtij viti.

Ministrja e Jashtme bullgare, Teodora Gençovska ka anuluar të martën udhëtimin për në Kiev, vetëm e vetëm për t’ia thënë në sy eurokomisionerit të Zgjerimit Oliver Varhelyi i cili ndodhet në Sofje, se Bullgaria nuk do të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut.

Sofja zyrtare kërkon me doemos ndryshimin e Kushtetutës maqedonase përpara fillimit të negociatave, përmes së cilës

Gençovska: E njoha eurokomisionerin Varhelyi me qëndrimin tonë për Maqedoninë e Veriut. Përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e Shkupit duhet të bëhet përpara fillimit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian të fqinjit tonë perëndimor.

Bullgaria kërkon që Maqedonia e Veriut ta shkruajë në Kushtetutë që gjuha dhe identiteti i tyre deri para vitit 1945 ka pasur rrënjë bullgare.

Eurokomisioneri pritet që të vizitojë Tiranën të enjten, më pak se dy muaj përpara sesa vendet e unionit evropian të marrin një vendim për dhënien e një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kujtojmë që Tirana dhe Shkupi janë të varura nga njëri-tjetri sa i përket anëtarësimit në BE dhe se negociatat do të hapen kur të dy të marrin dritën jeshile nga 27 vendet anëtare të bllokut.