Beogradi dënon sulmet ndaj Policisë së Kosovës: S’kanë ardhur nga serbët
Serbia është distancuar nga sulmet ndaj policisë së Kosovës në veri të vendit për të cilat Prishtina thotë se ka burime të sigurta se vijnë nga territori i Serbisë. Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Beograd i dënoi sulmet duke marrë në mbrojtje serbët.
Drejtori i zyrës së rreme për Kosovën në Beograd, Petar Petkoviç thotë se e ka dënuar sulmin e fundit ndaj automjetit të policisë kufitare të Prishtinës.
Ndërsa dënon sulmin, nuk ngurron të marrë në mbrojtje serbët e veriut të Kosovës, duke pretenduar se plumbat e gjuajtura ndaj automjetit të policisë nuk kanë të bëjnë me ta.
Petkoviç: Ne e dënojmë fuqishëm sulmin ndaj automjetit të Policisë së Kosovës, si dhe çdo përpjekje të mëparshme për të rrezikuar paqen dhe stabilitetin. Rritja e tensioneve në terren, veçanërisht në veri, nuk ka të bëjë fare me serbët.
Megjithëse pa fakte, Petkoviç doli garant se asnjë serb nuk ka qëlluar ndaj Policisë së Kosovës, ndërkohë që sulmet janë zhvilluar në një zonë pranë territorit të Serbisë dhe në një rajon të dominuar nga popullsia serbe, megjithëse në territor kosovar siç është veriu i vendit.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur gjatë këtij muaji, kur në mënyrë të përsëritur u qëllua ndaj policisë së Kosovës me kallashnikov e granata dore, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla i quajti sulmet akte terroriste dhe tha se kishte burime të besueshme se ato kishin athur nga territori i Serbisë.
