Pakistani rikërcënohet nga poliomeliti, paralizohet një fëmijë

Pakistani ka konfirmuar rastin e parë të poliomielitit pas më shumë se një viti, duke shuar shpresat e vendit për të zhdukur virusin.

Një djalë në Vaziristanin e Veriut, në kufi me Afganistanin, është paralizuar pasi u infektua me poliomielit.

Rasti ka krijuar frikën e një shpërthimi të ri në zonat vulnerabël rreth kufirit afgan, ku fushatat e vaksinimit trajtohen me dyshim dhe shpesh qytetarët refuzojnë të vaksinohen.

Poliomieliti ose "Paraliza infantile" është një sëmundje virale që mund të prekë nervat dhe kjo të çojë në paralizë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Pakistani është një nga dy vendet e vetme, së bashku me Afganistanin, që ende nuk e kanë zhdukur virusin gjymtues të poliomielitit , i cili ka paralizuar dhe vrarë miliona njerëz.

Rasti i fundit i paralizës si pasojë e poliomielitit në Pakistan u raportua në janar 2021.

Afganistani, në vitin 2021, raportoi katër raste të poliomielitit por, mund të ketë pasur prani më të madhe të virusit.

Kryeministri i ri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, tha se ai do të mbajë një takim urgjent të grupit kombëtar të poliomielitit.