Arrihet dakordësia, Elon Musk blen Twitter për rreth 44 miliardë dollarë
Twitter ka rënë dakord t'i shesë veten Elon Musk në një marrëveshje me vlerë rreth 44 miliardë dollarë, tha kompania të hënën.
Marrëveshja mbyll një cikël lajmesh të stuhishme, në të cilën CEO i Tesla dhe SpaceX u bë një nga aksionerët më të mëdhenj të Twitter, iu ofrua dhe refuzoi një vend në bordin e tij dhe më pas ai tha se donte të blinte kompaninë.
Marrëveshja vjen pasi Musk zbuloi javën e kaluar se kishte financuar 46.5 miliardë dollarë për të blerë kompaninë. Bordi i Twitter u mblodh të dielën për të vlerësuar ofertën e Musk.
Musk tha në Twitter të hënën se, "Shpresoj që edhe kritikët e mi më të këqij të mbeten në Twitter, sepse kjo është ajo që do të thotë liria e fjalës".
Marrëveshja e vendos njeriun më të pasur në botë në krye të një prej platformave më me ndikim të mediave sociale në botë.
Musk ka theksuar vazhdimisht ditët e fundit se qëllimi i tij është të forcojë fjalën e lirë në platformë dhe të punojë për të "zhbllokuar" "potencialin e jashtëzakonshëm" të Twitter.
“Kam investuar në Twitter pasi besoj në potencialin e tij për të qenë platforma për fjalën e lirë në mbarë globin dhe besoj se liria e fjalës është një imperativ shoqëror për një demokraci funksionale”, tha Musk në letrën e tij të ofertës në Twitter.
Në ditët pas ofertës së Musk, bordi i Twitter vendosi një të ashtuquajtur “pilulë helmuese” që do ta bënte më të vështirë për Musk blerjen e kompanisë pa miratimin e tij.

