"Marine, Marine"- Le Pen përshëndet rezultatin historik për të djathtën ekstreme: Lufta nuk ka përfunduar

Marine Le Pen pranoi humbjen e saj në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, por tha se rezultati ishte një "fitore" për lëvizjen e saj politike."Vullneti ynë për të mbrojtur francezët është forcuar," tha Le Pen, duke vënë në dukje se "ne do të vazhdojmë luftën tonë kundër politikës sociale dhe emigracionit të Macron". Le Pen shtoi se “lufta nuk ka përfunduar ende”, me synimin për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për të cilat ajo tha se ekziston një “rrezik i madh” që Macron të sigurojë një shumicë edhe në parlament.

Në fjalimin e parë drejtuar mbështetësve pas shpalljes së rezultateve të projeksioneve që nxorën fitues Emmanuel Macron, udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen tha se rezultati, një humbje e parashikuar sipas saj, është ende një fitore për partinë e saj.

Ajo shtoi se e respekton verdiktin e kutisë së votimit.

Le Pen shtoi se do të vazhdojë luftën e saj në politikën franceze, ndonëse më herët kishte thënë se do të largohej nga politika nëse humbiste.

Ajo u ankua për një fushatë mashtrimesh të pista të Macron, por falënderoi mbështetësit e saj, veçanërisht në fshatrat e Francës dhe jashtë saj.

“Këtë Francë shumë të harruar,nuk do ta harrojmë kurrë”.

"Marine, Marine," brohoritën mbështetësit.

Ajo shtoi se do të nisë "një betejë të madhe për zgjedhjet legjislative" që do të mbahen në qershor.

Në fund të fjalimit të saj, Marine Le Pen ftoi mbështetësit e saj në një interpretim të La Marseillaise, himnit kombëtar francez, dhe më pas u largua nga podiumi.