Kurti e quajti Vuçiçin "Putin i Ballkanit", Beogradi: Albini, Hitleri i vogël
Serbia e ka quajtur kryeministrin Kurti një Hitler të Ballkanit duke ngritur alibitë e vjetra se po krijon Shqipërinë e Madhe duke përzënë serbët nga Kosova. Deklaratat vijnë në një kohë kur miqësia e Vuçiç dhe kryeministrit Rama është në nivelin më të lartë në këto 30 vjet, ndërkohë që edhe Kurti i ka ikur idesë së bashkimit kombëtar.
Serbia i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Albin Kurti në adresë të presidentit Vuçiç, të cilin e quajti një Putin të vogël të Ballkanit.
Ministri i Jashtëm serb, Nikolla Selakoviç nuk ka vonuar të vendosë reciprocitet ndaj deklaratave të Kurtit, të cilin e quajti Hitler të vogël të Ballkanit.
Kryediplomati serb pretendon se Kurti do që të pushtojë veriun e Kosovës, i cili është me shumicë popullsie serbe dhe se dëshiron që të krijojë ‘Shqipërinë e Madhe’.
Selakoviç: Ndërsa Aleksandër Vuçiç po ndjek një politikë që vendos sigurimin e paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në Serbi, por edhe në rajon. Hitleri i vogël i Ballkanit, ëndërron vetëm për të pushtuar veriun e Kosovës me zjarr dhe me shpata që të largojë serbët nga faqja e dheut për të krijuar të ashtuquajturën Shqipëri të Madhe.
Ministri i Jashtëm serb me deklaratën e tij tha tre të pavërteta të cilat mund të hidhen poshtë menjëherë.
Së pari, raporti mes Shqipërisë dhe Serbisë është në nivelet më të larta ndonjëherë përmes nismës ekonomike serbe ‘Ballkani i Hapur’ e cila ka finalizuar edhe miqësinë mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Si Tirana dhe Prishtina e kanë hedhur mënjanë idenë e bashkimit kombëtar, i cili ishte një nga pikat kryesore të fushatës së Albin Kurtit përpara se të vinte në pushtet.
Dhe së treti, serbët në Kosovë jetojnë njësoj si pjesa tjetër e qytetarëve të vendit, por politika e Beogradit dhe ndonjë raport nga drejtori i zyrës së rreme për Kosovën e zotit Petar Petkoviç viktimizohen duke deklaruar se jetesa e serbëve atje po mjerohet nga regjimi i Albin Kurtit.
E madje, sa i përket veriut të Kosovës, serbët atje, në mënyrë të pashpjegueshme kanë sulmuar disa herë policinë vendase me armë zjarri dhe granata.
