Besimtarët ortodoksë në Tiranë festojnë Pashkën, çojnë dritën e Kishës në shtëpi
Mesnata i gjeti besimtarët në Katedralen ortodokse të Tiranës, duke kremtuar pashkën. Ndezja e flakës në kishë këtë vit ishte për herë të parë për shumë të rinj, e shumë të tjerë janë përkushtuar prej një jete në këto ceremoni.
Ora shënon 12 e mesnatës teksa në Katedralen ortodokse të Tiranës besimtarët u mblodhën për të kremtuar Pashkën edhe për të festuar ringjalljen e Krishtit.
Zonja 75 vjeçare Fanka Marku vjen çdo vit në kishë në këtë datë të rëndësishme të kalendarit ortodoks për të kremtuar Pashkën.
"Unë jam 75 vjeç dhe me tension dhe do ta bëja të mundur që të vija", thotë ajo.

Ndërsa për Helian e vogël, ishte hera e parë që vizitonte Kishën. Ndryshe nga çdo mbrëmje tjetër nuk kishte gjumë, por priti me padurim të ndizte qiriun me prindërit e saj.
"Ndenji zgjuar edhe pse ajo fle në orën 8-9. Është mbarësi", thotë e ëma e Helias.
Ndezja e qirinjve dhe mbajta e tyre ndezur deri në shtëpi është një nga ritualet më të rëndësishme, me një kuptim të veçantë.
"Deri në shtëpi dhe deri nesër në mëngjes. Sjell mbarësi për shtëpinë, sjell dritë. Dritën që e merr vetë nga Kisha."
"Çojmë dritën e Kishës në shtëpi."
Në mesnatë nuk mund të mungonte as trokitja e vezëve të kuqe, simbol i gjakut të Krishtit.
Manifestimi qendror me rastin e kësaj feste, në meshën e ringjalljes bëri bashkë me qindra njerëz.
