Fshati me vetëm 2 familje, në Sirakat jetojnë 5 banorë: Nuk vjen njeri më as për vota

Vetëm 5 banorë kanë mbetur në fshatin Sirakat të Sarandës. Të tjerët janë larguar ndër vite për shkak të mungesës së shërbimeve bazë. Ata që kanë mbetur bëjnë thirrje për investime.

Në Sirakat të Sarandës jetojnë vetëm dy familje.

Fshatit i kanë mbetur 5 banorë, më i riu ndër ta 34 vjeç ndërsa të tjerët janë të moshuar.

Mungesa e shërbimeve i ka detyruar njerëzit ta braktisin vendlindjen.

Janë larguar tej kufirit, në Greqi, aty ku kanë gjetur kushte të më të mira jetese.

"Më të shumtët kanë ikur në Greqi, në emigracion për një jetë më të mirë dhe nuk janë kthyer kurrë."

Ata që kanë mbetur përveç vetmisë përballen me shumë vështirësi. U mungojnë kushtet minimale.

Në fshat nuk ofrohet shërbim shëndetësor ndërsa rruga është dëmtuar.

"Asnjë, vetëm. Edhe vajzë e vetme jam dhe këtu e vetme. Janë të ikur të gjithë në Greqi. Kemi infermiere por nuk vjen, një herë në muaj."

I braktisur nga banorët, fshati nuk i intereson më as politikës, përfaqësuesit e së cilës nuk trokasin më në dyert të kërkojnë votën.

"Më parë vinin, tani jo. S'ka njerëz këtu."

Mungesa e investimeve dhe vëmendjes së qeverive ndër vite ka nxitur emigrimin dhe shpopullimin e zonave rurale.

Fshati Sirakat është ndër të shumtët që rrezikon të mbetet pa banorë e në një të ardhme pa emër e histori.