Macron apo Le Pen? Sot raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Francë
Franca do t'i drejtohet kutive të votimit sot, 24 prill për të vendosur nëse do t'i japë Emmanuel Macron pesë vjet të tjera si president ose do ta zëvendësojë atë me kandidaten e ekstremit të djathtë Marine Le Pen.
Pas një fushate zgjedhore përçarëse, Le Pen përballet me një betejë të vështirë me kundërshtarin e saj 44-vjeçar që është në avantazh.
Kundërshtarët e Macron e quajnë atë arrogant dhe president të të pasurve, ndërsa lideri i ekstremit të djathtë është akuzuar se ka lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin.
Macron u ngrit në pushtet me një premtim të stuhishëm ndryshimi, por shumë ankohen se ende nuk e kanë parë atë. Presidenca e tij është goditur nga protestat, pandemia Covid dhe tani kostoja në rritje e jetesës.
E panjohura e madhe në këto zgjedhje është se sa votues do të refuzojnë të mbështesin asnjërin kandidat, qoftë duke hedhur një fletë të bardhë apo duke mos votuar fare. Pjesa më e madhe e Francës është me pushime dhe pjesëmarrja mund të jetë historikisht e ulët.
Fushata ka qenë e shkurtër, por zgjedhja për votuesit është e qartë, midis një presidenti pro-evropian dhe një kandidati nacionalist që kërkon të ndalojë shaminë dhe të kufizojë imigracionin.
Qendra e votimit do të hapen në orën 08:00 (06:00 GMT) dhe votimi do të përfundojë rreth 12 orë më vonë.
Cilido qoftë rezultati, Macron do t'u drejtohet votuesve të dielën në mbrëmje nga një skenë në këmbët e Kullës Eiffel.
