Ukrainasit e ikur nga lufta festojnë Pashkën në Greqi
Ndërsa bashkëkombësit e tyre pritën Ringjalljen e Krishtit në mes të plumbave në 2-mujorin e luftës, disa ukrainas kremtuan festën më të madhe për besimtarët ortodoksë në kryeqytetin grek Athinë.
Për ta është hera e parë që nuk festojnë sipas traditës dhe larg familjeve të tyre.
"Sot është hera e parë në jetën time që festoj Pashkët jashtë shtëpisë sime, jashtë vendit tim Ukrainë, këtu në Greqi. Është një traditë shumë klasike që mblidhemi rreth tryezës për Pashkë, por fatkeqësisht këtë vit situata është e tillë dhe prindërit e mi po festojnë në Ukrainë, ndërsa unë jam këtu vetëm.”
Pavarësisht se nuk ishin në vendin e tyre, besimtarët ortodoksë të strehuar në Athinë e respektuan Pashkën me veshjet tradicionale dhe me flamurin ukrainas, teksa u mblodhën në oborrin e kishës katolike të Trinisë së shenjtë dhe morën zjarrin e shenjtë.
Për at Roman Skripnyuk, me mbështetjen tek Zoti momentet e vështira do të kalojnë, por ukrainasit duhet të qëndrojnë të fortë.
Më shumë se 22,000 shtetas ukrainas kanë hyrë në Greqi që nga fillimi i luftës.
Disa vende të Evropës kanë hapur dyert për t'i mirëpritur refugjatët e larguar nga agresioni rus, ndërkohë që në qytetet lindore të vendit vazhdojnë luftimet.
