Sllovenia mban zgjedhjet parlamentare, kryeministri nacionalist Janez Jansha kërkon një mandat të dytë
Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha përballet me një sfidë të fortë nga opozita liberale në votimet e së dielës, në të cilat partia nacionaliste e Janshës dëshiron një mandat 4-vjeçar në mes të kritikave nga Brukseli për minim të institucioneve të demokracisë.
Qytetarët sllovenë do të vendosin se kush do t’i drejtojë për 4 vjetët e ardhshme.
Kryeministri nacionalist i vendit, Janez Jansha kërkon një mandat të plotë nën ethet e kritikave nga Brukseli zyrtar për shkeljen e sundimit të ligjit dhe problemeve të tjera me demokracinë.
Nën logon e Partisë Demokratike Sllovene, e cila është konsideruar si forcë e së djathtës ekstreme kryeministri Jansha garon kundrejt një partie të re në skenën politike të vendit.
I konsideruar si mik i kryeministrit shumë të kritikuar Viktor Orban dhe njekës i politikave populiste të ish-presidentit Donald Trump, Jansha 63 vjeç përballet me Robert Golob, një ish-drejtues i një kompanie energjetike.
Analistët thonë se shqetësimet rreth sundimit të ligjit kanë rritur opozitën e Golobit, duke i dhënë këtij një shans real për të fituar një shumicë në vendin prej 2 milion banorësh.
Opozita e akuzon Janshën se po përpiqet të minojë institucionet demokratike dhe lirinë e shtypit si aleati i tij Orban në Hungari.
Të dy kryeministrat i bashkon fronti anti-Soros sa i përket ndikimit politik të filantropit George Soros në vendet kryesisht të Evropës lindore.
55-vjeçari Golob filloi të rriste mbështetësit e tij në janar të këtij viti kur ai mori drejtimin e Partisë së Gjelbër, të cilën e riemëroi Lëvizja e Lirisë.
Sipas sondazheve të fundit të premten, lëvizja ka më shumë se 27 % miratim publik, 3% më shumë se partia aktuale në pushtet e kryeministrit Jansha.
