VIDEO/ "Sistem gjenial për të fshehur drogën", 30-vjeçari shqiptar në Itali kapet me 2 mln euro kokainë në makinë

Një 30-vjeçar nga Shqipëria është arrestuar nga policia italiane me 14 kilogramë kokainë. Droga që arrinte në treg vlerën e 2 milionë eurove ishte fshehur në dyshemenë e dyfishtë të automjetit, pakot kishin mbishkrimin “Daja” por ende nuk është e qartë domethënia e këtij emri. Sipas policisë, lënda narkotike do shpërndahej në disa qytete të Italisë.

Një 30-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane duke transportuar 14 kilogramë kokainë e cila në treg kap vlerën e 2 milionë eurove.

Policia financiare e Leço-s identifikoi të riun e dyshuar për përfshirje në trafik droge ndërsa kontrolli në automjetin e tij zbuloi lëndën narkotike të fshehur në  dyshemenë të dyfishtë.

30 vjeçari me origjinë shqiptare është ndaluar për kontroll në dalje të autostradës kur po udhëtonte drejt Parmës, ku  policia verifikoi pjesën e poshtme të makinës në krahun e pasagjerit. 

Në dyshemenë e dyfishtë agjentët gjetën rreth 10 pako me lëndë narkotike, ato që në zhargon quhen "tjegulla" ose "blloqe", me një peshë totale rreth 11 kilogramë.  Analizat e kryera me pajisjet e narkotestit konfirmuan se brenda pakove kishte kokainë.

Policia ka prangosur menjëherë 30-vjeçarin shqiptar ndërsa hetuesit u zhvendosën në banesën e tij ku u gjetën edhe tre kilogramë të tjera kokainë, duke e çuar kështu në 14 sasinë totale të sekuestruar gjatë aksionit. Shqiptari i arrestuar është dërguar në burgun Via Burla në Parma dhe është vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë për vijimin e procedurave të hetimit.

Sipas hetimeve të deri tanishme emri i të arrestuarit nuk është bërë i ditur ndërsa kokaina që po transportonte ishte e një cilësie tepër të lartë.

Lënda narkotike ishte e ndarë në pako 1 kilogramshe mbi të cilat shkruhej “Daja”. Ende nuk dihet se çfarë nënkupton ky shënim ndërkohë që sipas policisë, kokaina kishte si destinacion shpërndarjen në sheshet e Leçe-s dhe provincën e Como. Policia po kryen hetime për persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.