Anulohen zgjedhjet e PD në Bulqizë, kandidatët përplasen për listat e anëtarësisë

Zgjedhjet për kreun e ri të degës së Partisë Demokratike në Bulqizë nuk u zhvilluan të dielën. Kandidatët u përplasën për listën e anëtarësisë me pretendimin se në të ishin shtuar 500 persona. Procesi vijoi i qetë në 5 degë në Krujë, Belsh, Vorë, Maliq dhe Tiranë ndërsa të hënën do të ketë zgjedhje edhe në Shkodër.

Në Bulqizë përplasja e kandidatëve për listën e anëtarësisë çoi në anulimin e zgjedhjeve për kryetarin e ri të degës së Partisë Demokratike në këtë qytet.

Lista e dërguar të dielën në qendrën e votimit përmbante 2250 anëtarë rreth 500 më shumë se lista e miratuar më parë nga Komisioni i Rithemelimit.

Kandidati për kryetar Fatos Hoxha u shpreh kundër zhvillimit të zgjedhjeve.

"Sot në mëngjes jemi njohur me këtë listë, ne kemi punuar me një listë tjetër. Një pjesë e demokratëve nuk janë kontaktuar nga ana jonë."

Por për kandidatin tjetër në garë Shaqir Manjani lista është vetëm justifikim sipas tij rivalët bllokuan procesin sepse i frikësohen humbjes.

"Ata janë dy kandidatë nga e njëjta zonë dhe duke paramenduar që ndahen votat midis tyre mund t'i çojë në humbje."

Të dielën procesi vijoi normalisht në 5 degë të tjera, Krujë, Belsh, Vorë, Maliq dhe Tiranë.

Demokratet e Shkodrës votojnë nesër për kryetarin e ri të degës së PD. Komisioni i Rithemelimit ka zyrtarizuar 8 emra në garë, mes tyre edhe nënkryetari i bashkisë, Ardit Qylybyli. Nga gara ka deklaruar dorëheqjen i riu, Tedi Kopliku.

Por procesi duket se nuk do të jetë aspak i lehtë, pasi ende nuk ka një vend të përcaktuar për votimin. Pakënaqësi gjithashtu ka në radhët e demokratëve të Shkodrës për emrat e përzgjedhur, një pjese e grupit të punës së rithemelimit është tërhequr nga organizimi i votimit.

Edhe pse nuk ka një vendim të formës së prerë nga Apeli se kush do ta drejtojë Partinë Demokratike, Komisioni i Rithemelit duket se nuk do t`i ndalë zgjedhjet në degë.

Procesi duhet të përfundojnë para 30 prillit, ditë kur do të mblidhet Kuvendi Kombëtar për të nisur procedurat e zgjedhjes së kryetarit të ri.