Drejtori i ri “fshin” të vjetrit, ndryshime në të gjithë strukturën e Policisë së Lezhës
Policia e Lezhës ka nisur një riorganizim të plotë në nivel drejtuesish. Pas ardhjes së drejtorit të ri në janarin e këtij viti mësohet se Vehbi Bushati ka ndryshuar pothuajse të gjithë strukturën drejtuese atje.
Emërimi i Vehbi Bushatit në krye të Drejtorisë Vendore të Policisë në Lezhë është shoqëruar me ndryshime edhe të strukturës drejtuese të bluve.
Pak javë pas marrjes së detyrës nga Bushati, janë lëvizur edhe zëvendës drejtori i Rendit dhe Sigurisë Publike Sadri Ramçaj, shefi i Komisariatit të Lezhës Ermal Ajdini, Shefi i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë si dhe Shefi i Stacionit Policor të Shëngjinit.
Sipas burimeve për Ora News, zëvendës drejtor për Rendin e Sigurinë Publike i policisë vendore është emëruar Alfred Elezi, Shef Komisariati në Lezhë Artur Hebaj si dhe Shef i Stacionit Policor të Shëngjinit është emëruar Ardit Çela.
Ky i fundit më parë ka mbajtur detyrën e shefit të seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, ndërsa të tjerët janë prurje të reja.
Me këto ndryshime synohet ti jepen impulse të reja punës së policisë në Qarkun e Lezhës, i cili vijon të jetë jo pak problematik për sa përket ngjarjeve kriminale, por edhe veprave të tjera penale të cilat përgjatë vitit 2021 kanë njohur rritje.
Gjithashtu sipas burimeve që në javët e para të punës së tij në Lezhë, drejtori Vehbi Bushati ka mbledhur të gjithë efektivët e policisë që nga shefat deri tek policët e thjeshtë, duke analizuar punën e secilit Komisariat si dhe u ka dhënë porosi, detyra e urdhra të prerë në luftën pa kompromis në luftën ndaj kultivimit të kanabisit si dhe të trafikut apo shitjes së tij, pa asnjë tolerim apo përfshirje të policisë në këtë drejtim.
Gjithashtu, objekt i porosive të tij kanë qenë edhe lufta ndaj krimit të organizuar, zbardhjen e ngjarjeve të vjetra dhe goditja e armëmbajtjes pa leje.
Vehbi Bushati që nga janari i këtij viti po drejton policinë e Lezhës, pasi e zëvendësoi Oltion Bistrin i cili mori drejtimin e Forcës Operacionale.
