Berisha hedh akuza të reja: Qeveritarët të përfshirë në prodhimin e paligjshëm të bitcoin
Në tryezën për energjinë ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi mazhorancën për korrupsion në shitblerjen e energjisë elektrike. Sipas tij në të njëjtën ditë qeveria e shiste lirë dhe e blinte shtrenjtë.
Berisha: Shet energji në emër të liberalizimit të treguar me 42 euro në të njëjtën ditë kur në bursë ajo është 130 euro. Kemi një rritje çmimesh të diktuara nga keqmenaxhimi dhe vjedhja. Ai që shiti energji me 42 euro, ndau para me blerësin.
Madje si pasojë e keqmenaxhimit ai nënvizoi dhe një borxh të fshehur
Berisha: De Facto sot janë të falimentuara sepse borxhi i tyre ka kaluar 1 miliard euro.
Kriza e energjisë sipas Berishës ka si shkak qeverinë që nuk ka lejuar shpërndarjen në disa burime. E për këtë foli për energjinë e diellit por edhe nga era.
Berisha: Platformë e fuqishme ere është gryka e Tepelenës, është rrafshnalta e Pukës.
Gazsjellësi TAP i ndërtuar në periudhën e qeverisë Berisha, është një mundësi shumë e mirë tha ai, por sërish akuzoi qeverinë për mos reagim.
Berisha: Ka fatin të jetë dhe vendi i depozitave ndër më të mëdhatë në Evropë të gazit. Është parashikuar që këto depo gjigante gazi do të jenë në Dumre.
Madje përmes tij mund të vihej në zbatim dhe TEC-i i Vlorës si dhe do të furnizohej popullsia me gaz
Berisha: Ky gaz tani po na vjen nga TAP-i dhe hajde të përgatitemi për përdorimin e tij.
Berisha nuk harroi të përmendte dhe përpjekjen e linjës së tensionit të lartë kosovë shqipëri, por që sërish nuk është vënë në zbatim.
Berisha: Në rast se vendosin sistemin unik të komandimit të sistemeve energjitike, respektivisht kursejnë nga 20% të energjisë.
Një tjetër akuzë e Berishës ishte dhe përfshirja e zyrtarëve të qeverisë në prodhimin e paligjshëm të bitcoin.
Berisha: Impiantet e bitcoinit të vendosura në afërsi të hidrocentraleve, gllabërues të papërmbajtur, kuçedra të vërteta të energjisë elektrike.
Duke premtuar një strategji konkrete Berisha theksoi se me vënie në zbatim të saj do të ulet çmimi i energjisë për shqiptarët.
