Gjykata britanike miraton ekstradimin e themeluesit të WikiLeaks
Një gjykatë britanike ka miratuar zyrtarisht ekstradimin e themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange, në Shtetet e Bashkuara, për t'u përballur me akuzat për spiunazh. Avokatët kanë thënë se do të bëjnë apelim, por çështja tashmë është në dorë të sekretares së Brendshme britanike Patel. Ajo do të vendosë për fatin e Assangeit, një nga personazhet më të debatuar të dekadës së fundit.
Julian Assange, themeluesi i Ëikileaks, është një nga figurat më të debatuara të viteve të fundit në mediet mbarëbotërore. Nga disa paraqitet si hero i fjalës së lirë, e nga të tjerë si abuzues me të, për shkak të nxjerrjes së materialeve sekrete.
Një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar ka lëshuar zyrtarisht një urdhër për ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendimi përfundimtar ndërkohë do të merret nga Sekretarja e Punëve të Brendshme britanike, Priti Patel.
J. Assange, nëse ekstradohet në SHBA, do të përballet me drejtësinë amerikane për akuzat e publikimit të dosjeve sekrete në lidhje me luftërat amerikane në Irak dhe Afganistan.
Vendimi nga kjo gjykatë londineze sjell sagën e gjatë ligjore në gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar më afër përfundimit. Avokatët e Assangeit ndërkohë kanë njoftuar për apelime të mëtejshme të çështjes. " Do të apelojmë çështjet e tjera të rëndësishme për Assangein" thanë avokatët e tij në një deklaratë më herët.
Për shumë aktivistë të fjalës së lirë anekënd botës, Assange nuk duhet të ekstradohet në SHBA, ku ai mund të përballet me burgim të përjetshëm. Uashingtoni do ta gjykojë atë në lidhje me publikimin e 500,000 dosjeve sekrete ushtarake që tronditën opinionin publik për luftërat amerikane në Irak dhe Afganistan.
Aktiviteti i 50-vjeçarit australian është kthyer në një temë të gjerë debati. Prokurorët amerikanë thonë se Assange ndihmoi në mënyrë të paligjshme analisten e inteligjencës së ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet e klasifikuara diplomatike dhe dosjet ushtarake që WikiLeaks publikoi më vonë, duke vënë në rrezik jetë njerëzish.
Në krahun tjetër, mbështetësit dhe avokatët e Assange argumentojnë se ai po vepronte si gazetar dhe ka të drejtë për mbrojtje nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane për publikimin e dokumenteve që ekspozonin keqbërjet e ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan, ndërsa argumentojnë më tej se rasti i tij është i motivuar politikisht.