Fortesa e fundit e Mariupolit, Ushtria ukrainase: Na çoni në një vend të sigurt
Krahas betejës në lindje, objektivi kryesor i Rusisë është qyteti port i Mariupolit në Ukrainë. Qindra forca ruse janë përqendruar në një fabrikë çeliku ku gjenden edhe ushtarët e vetëm ukrainas në qytetin e rrethuar, mposhtja e të cilëve do t’i jepte një fitore të madhe morale edhe për shkak të resurseve të qytetit.
Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për evakuimin e rreth 6000 grave e fëmijëve nga një fabrikë çeliku në qytetin e shkatërruar dhe të rrethuar tashmë nga rusët, Mariupol.
Në fabrikë gjenden ushtarët ukrainas, kryesisht të grupit të ekstremit të djathtë Azov.
Moska vendosi një ultimatum ndaj forcave ukrainase që të hidhnin armët për herë të fundit, duke rritur dyshimet se do të nisnin një sulm në shkallë të gjerë.
Ukraina tha se asnjë ushtar nuk iu përgjigj ultimatumit rus, megjithëse forcat e Republikës së vetëshpallur të Donjeckut pretendojnë se 5 ushtarë ukrainas kanë lënë armët, duke postuar videon e tyre në rrjetin social të Telegramit.
Një komandant i marinsave ukrainas që luftojnë në bastionin e fundit të Mariupol tha se forcat e tij ndoshta po përballeshin me ditët e fundit, nëse jo orët dhe bëri apel për ndihmë për evakuim.
" Ky mund të jetë i fundit i jetëve tona. Ne ndoshta përballemi me ditët e fundit, nëse jo orët. Armiku është 10 herë më i madh në numër se sa ne. Ne jemi duke mbrojtur vetëm një objekt, fabrikën e Azovstalit, ku në shtesë të personelit ushtarak, ka gjithashtu civilë të cilët kanë rënë viktima të kësaj lufte. Ne kërkojmë të na nxjerrin që këtu dhe të na çojnë në një territor të një vendi të tretë, afro 500 luftëtarë janë tashmë të plagosur"
Qyteti port është i gjithi i rrethuar nga forcat ruse dhe fortesa e fundit mbetet fabrika e çelikut.
Sipas bashkisë, rreth 130,000 qytetarë kanë qenë të bllokuar në Mariupol për 50 ditë në kushte të tmerrshme humanitare, pa ushqim, ilaç apo ujë.
Kapja e Mariupolit do ta bënte Rusinë kontrolloren kryesore në pjesën më të madhe të Ukrainës jugore si dhe lindore.
Mariupoli ka një port të rëndësishëm i cili në kohë normale është një qendër kryesore eksporti për çelikun dhe qymyrin.
Kapja e Mariupolit do t’i jepte Kremlinit një arsye më shumë që t’u mbushte mendjen popullsisë ruse se Moska po i arrin qëllimet e saj.