Rusia bombardon fabrikën e çelikut në Mariupol, Biden thirrje aleatëve: Izoloni Moskën dhe diversifikoni gazin!

Dita e pesëdhjetë e pestë e luftës në Ukrainë. Uzina e çelikut Azovstal në Mariupol u "shkatërrua pothuajse plotësisht" .

"Në uzinë janë hedhur bomba super të fuqishme dhe civilët janë nën rrënoja," denoncoi Svyatoslav Palamar, zëvendës komandant i batalionit Azov.

Sipas Tass "ushtria ruse po zbaton sistematikisht planin për çlirimin e republikave të Donetsk dhe Lugansk".

Ndërkohë presidenti amerikan Joe Biden gjatë videokonferencës me aleatët e tij, pati një konsensus për të "rritur izolimin ndërkombëtar të Moskës" dhe "u riafirmua angazhimi i përbashkët për të diversifikuar burimet e energjisë, duke reduktuar kështu varësinë nga furnizimet ruse  të energjisë.

Shtëpia e Bardhë tha se telefonata me video zgjati pak më shumë se një orë. Biden trajtoi gjithashtu çështjen e sanksioneve të reja kundër Moskës, të cilat mund të shpallen në ditët në vijim në koordinim me partnerët.

"Udhëheqësit e botës mbeten fort të bashkuar në mbështetjen e tyre për Ukrainën. Ne do të forcojmë më tej sanksionet tona kundër Rusisë dhe do të rrisim ndihmën tonë financiare dhe të sigurisë" për Kievin. Faleminderit presidentit të Shteteve të Bashkuara që e bëri këtë thirrje të rëndësishme” shkruajti në twitter Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen.