Dëm buxhetit të shtetit me parregullsi, qeveria u pezullon lejet e importit 4 kompanive të naftës
Ministrja e Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, ka bërë me dije se Dogana e Kosovës ka gjetur te 4 subjekte që merren me përpunimin e produkteve të naftës parregullsi që pengojnë mbikëqyrjen dhe rrezikojnë cilësinë e produkteve duke i sjellë dëm buxhetit të shtetit.
Ministrja Hajdari doli në një konferencë për media bashkë me drejtorin e Doganës, Agron Llugaliu, duke thënë se Dogana nuk ua ka vazhduar autorizimet këtyre subjekteve.
Ajo theksoi se këto kompani u kanë shitur produkte të naftës kompanive të palicencuara dhe e kanë shmangur akcizën duke e deklaruar gabimisht produktin.
“Dogana ka kryer analiza dhe kontrollet te 4 subjekte që merren me përpunimin e produktet e naftës dhe ka gjetur parregullsi që pengojnë mbikëqyrjen rrezikojnë cilësinë e produkteve dhe mund t’i sjellin dëm buxhetit të shtetit. Dogana nuk ua ka vazhduar autorizimet katër subjekteve. Disa nga subjektet u kanë shitur produkte të naftës kompanive të palicencuara, nuk kanë përdorur, mjete matëse të verifikuara dhe kanë shmangur akcizën duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit”, tha Hajdari.
Nga ana tjetër ajo u shpreh se Ministria që drejton ua ka revokuar dhe pezulluar këtyre subjekteve edhe lejet e importit të lëndës së parë dhe shitjen me shumicë të produktit final.
“Ne si ministri e Industrisë kemi revokuar dhe pezulluar 4 subjekteve lejet për importin e lëndës së parë, deponimin e lëndës së parë dhe produktit final dhe shitjen me shumicë të produktit final, që është vaji i rëndë ose mazut. Njërit subjekt ia kemi pezulluar edhe lejen për importin e vajrave të rënda.”
Hajdari shtoi se po ashtu se në kazermat e FSK-së është gjetur naftë me përmbajtje të lartë të sulfurit.
