Kriza, Danaj: S'mund t'i thuhet qytetarëve sakrifikoni për vjedhjet që ne kemi bërë ndër vite

Kryeministri Rama ka paralajmëruar se mund të na duhet të përballemi me mungesë të energjisë elektrike si pasojë e krizës.

Eksperti i ekonomisë, Vjoldi Danaj në një intervistë në RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj ngriti shqetësimin e mbrojtjes së konsumatorit përballë krizës së çmimeve. Danaj tha se konsumatori është krejtësisht i zhveshur dhe nuk ka asnjë mbrojtje.

Danaj: Duhet të bëhet një hetim i të gjithë tenderave që janë dhënë. Është e pamundur që të deklarohen miliona euro investim në rrjetizimin energjitik të Shqipërisë dhe ne vazhdojmë të jemi me rrjetizimin e kohës së komunizmit. SPAK duhet të fillojë disa hetime për shpërdorimin e fondeve sepse janë para publike. SPAK e ka të drejtën të kontrollojë paratë e qytetarëve.

Sot kemi tendera që janë deklaruar sikur kanë shkuar në investime për teknologji apo infrastrukturë dhe ato nuk dihen sepse situata i ka nxjerrë zbuluar që ka pasur një shpërdorim apo vjedhje të tyre. Nuk është e drejtë që sot t'i thuhet qytetarëve apo bizneseve ju duhet të sakrifikoni për vjedhjet që ne kemi bërë ndër vite. Kjo nuk ndodh në asnjë vend normal.

Sa i përket bordeve të transparencës që qeveria ka ngritur për mbrojtjen e konsumatorëve, Danaj i shikon si qesharake. Sipas tij janë borde që nuk kanë asnjë lloj funksionaliteti, janë një fasadë për t'i mbyllur gojën qytetarëve por që nuk kanë asnjë efekt.