U përplas me Opelin, doli të shikonte dëmin, shqiptari në Itali vdes pasi e merr para një makinë e tretë
Një aksident i rëndë automobilistik i ka marrë jetën 49-vjeçarit shqiptar në Itali, Ndriçim Gjuzi në sy të gruas dhe vajzës së tij 4-vjeçare mesnatën e Pashkëve.
Ai ishte nisur me makinën e tij tip "Fiat Panda" drejt Milanos kur u godit nga një "Opel Corsa", ku ndodheshin 3 persona të moshës 25 deri 40 vjeç.
Por nga përplasja asnjëri nga personat që ndodheshin në të dyja makinat nuk u lëndua. Të dy shoferët e makinave, Ndriçim Gjuzi dhe shoferi tjetër dolën për të parë dëmet që u shkaktuan nga përplasja.
Kur Ndriçim Gjuzi po kthehej në makinën e tij u godit nga një makinë e tretë. Përplasja rezultoi fatale duke i shkaktuar vdekjen.
Personat e tjerë të përfshirë në aksident nuk patën lëndime. Policia rrugore po punon për të ndërtuar dinamikën e ngjarjes.
