Përmbytje masive në Afrikën e Jugut, 400 të vdekur dhe mijëra të pastrehë, situata është alarmante

Ditë të tëra me shi të dendur kanë sjellë përmbytje masive në vendin më të industrializuar të kontinentit afrikan, në Afrikën e Jugut. Deri më tani janë mbi 40 mijë të pastrehë dhe 400 njerëz që kanë humbur jetën. Situata është vështirësuar më shumë pasi reshjet vijojnë edhe gjatë fundjavës, edhe pse me intensitet më të ulët.

Situata në zonat lindore të Afrikës së Jugut paraqitet alarmante. Me mijëra njerëz kanë mbetur të pastrehë teksa bilanci i jetëve të humbura si pasojë e përmbytjeve është rreth 400 persona.

Banorët thonë se kjo ka qenë stuhia më e fortë që mbajnë mend në jetën e tyre. Rreshjet e dendura të shiut dhe rrëshqitjet e tokës morën me vete edhe mijëra shtëpi duke sjellë që  dhjetra njerëz të humbin jetën nën llucën që la pas stuhia.

Shirat e dendur për ditë të tëra kanë shkatërruar edhe 58 spitale dhe klinika. Autoritetet kanë kërkuar ndihmë nga organizatat ndërkobëtare, teksa në rajonin me 3,5 milion banorë mungon tashmë edhe uji i pijshëm.

Meteorologët kanë paralajmëruar se shirat e dendur që u rikthyen në fundjavë mund të shkaktojnë përmbytje të tjera dhe rrëshqitje dheu ndërsa kanë bërë thirrje për kujdes dhe rritje të gadishmërisë së shërbimeve të emergjencës në zonë.

Qeveria ka alokuar një fond prej 68 milion dollarësh për masat paraprake, por dëmet llogariten shumë më të mëdha si pasojë e përmbytjes.

Në fokus qëndror të autoriteteve është kërkimi për të mbijetuar nën rrënoja, si dhe të gjejnë një strehë të përkohshme për ata që kanë humbur shtëpitë.

Uji i pijshëm për qindra mijëra banorë është jetik në këto momente për të mos e kthyer në një krizë të rëndë humanitare.