A e di Putini çfarë po ndodh në Ukrainë?

Kremlini zyrtar është i mbështjellë me një tis misteri pas nisjes së luftës në Ukrainë, ndërsa disa analistë në mediet perëndimore shkruajnë se Putini edhe mund të mos e dijë me saktësi çfarë ndodh në terren sepse zyrtarët kanë frikë t’ia thonë të gjitha. Por për kancelarin austriak që e takoi personalisht këtë javë Putinin, ai e di me saktësi se çfarë ndodh në terrenin e luftës.

Opinioni në Perëndim është i ndarë nëse lideri rus Vladimir Putin e di çfarë po ndodh në terrenin e luftës apo ka informacion të cunguar. Shumë politologë dhe analistë argumentojnë se pushtetarët autoritarë kanë mungesë informacioni për çfarë ndodh në realitet sepse rrethohen nga njerëz që u thonë ato që duan të dëgjojnë ndërsa një pjesë tjetër ka frikë që ta tregojë realitetin ashtu siç është.  

Që në krye të herës, ndërsa rusët kishin rreshtuar mbi 200 mijë trupa në kufi me Ukrainën, shumë analistë merrnin në konsideratë takimet e Putinit në tavolinën e stërmadhe, qëndrimin e tij larg liderëve të tjerë dhe me ministrat e tij, sikundër edhe show-n publik me shefin e njërit prej shërbimeve sekrete, për të argumentuar se Putini është gjithnjë e më i izoluar nga realiteti rus dhe ai ndërkombëtar.

Por nuk ndan të njëjtin mendim me shumë prej këtyre analistëve kancelari austriak Karl Nehammer. Ai është zyrtari më i lartë që e takon Putinin në Kremlin teksa në terren zhvillohet sulmi pushtues ndaj Ukrainës.

Kancelari austriak ka folur për mediet pas takimit ballë për ballë me presidentin Putin dhe thotë se Vladimir Putini e di saktësisht se çfarë po ndodh në terren, por, sipas tij, është i mbërthyer “nga logjikën e tij për këtë luftë”.

“Ai mendon se lufta është e nevojshme për të garantuar sigurinë e Federatës Ruse. Nuk i beson komunitetit ndërkombëtar dhe fajëson ukrainasit për gjenocidin në rajonin e Donbasit”, tha kancelari austriak.

Nehammer do të shkonte në Kremlin menjëherë pasi pa nga afër masakrën e ndodhur në Bucha, ku ukrainasit fajësojnë palën ruse për këtë rast. “Ja thashë të gjitha çfarë kam parë me sytë e mi”, tha kancelari. Por Putini beson se Rusia po e fiton luftën kundër Ukrainës dhe më tha se lufta është më mirë të përfundojë herët se sa kur të jetë vonë.

Kancelari austriak tha se ka pak mundësi për diplomacinë që t’i jap fund konfliktit, teksa e portretizoi Putinin tërësisht të dhënë pas luftës në Ukrainë.