"Konkurrenca", hetimi pas dëmit me çmimet, mazhoranca dhe opozita të shqetësuar për veprimtarinë e AK
Deputetet e mazhorancës dhe opozitës janë të pakënaqur me veprimtarinë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2021. Përfaqësues nga të dyja palët ngritën shqetësimin për afatet e hetimeve.
Tabaku: Roli juaj është monitorimi i tregjeve dhe nëse nuk ushtroni veprimtarinë tuaj tani kur çmimet janë rritur nuk e di se kur do të veproni.
Leskaj: Rritja e çmimeve jetike për popullatën, ju duhet të kishit realizuar me shpejtësi dhe me detaje mundësinë e abuzimit të operatoreve në treg. Asnjë hetim të mos e kalojë vitin.
Ky shqetësim vjen pasi hetimet nga Autoriteti i Konkurrencës për tregun e vajit dhe karburantit kanë nisur vetëm në muajin mars, kur çmimet kishin arritur nivele rekord.
Por zgjatja e hetimeve duket se lidhet me vendimet e Gjykatave, të cilat nuk janë në favor të këtij institucioni.
"Fakti që hetimi merr kohe tregon seriozitetin tonë për të mos dhënë vendime që do jenë të cenueshme nga gjyqësori. Ndaj ne marrim kohën e nevojshme, një pjese janë dhe korrespondencat me institucionet.”
Kryetari i Konkurrencës bëri me dije se pikërisht këtë të martë Gjykata Administrative ka vendosur pezullimin e gjobave 4 importuesit e inputeve bujqësore.
Ndërkohë, sa i përket bordeve, opozita këmbëngul se nuk janë zgjidhja më e mirë. Një gjë të tillë e konfirmon dhe deputeti socialist Erion Braçe i cili thotë se nuk ka më konkurrencë dhe se aty ku nuk ka kontroll po abuzohet me çmimet.
