Rritet sërish çmimi i karburanteve, një litër naftë do të shitet 226 lekë

Rritet sërish çmimi i karburanteve. Bordi i Transparencës ka vendosur rritjen e çmimeve të naftës dhe benzinës, pas shtrenjtimit të tyre në bursat ndërkombëtare.

Sipas vendimit të fundit, të marrë sot, një litër naftë me pakicë do të tregtohet me 226 lekë për litër, nga 219 lekë për litër që ishte deri tani. Vendimi do të fillojë të zbatohet nga ora 6 e pasdites.

Është rritur më lehtë çmimi edhe për benzinën, që do të tregtohet me 209 lekë për litër, nga 205 lekë për litër që ishte deri tani.

Çmimi i gazit ka mbetur i pandryshuar në 115 lekë për litër, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë ky.

Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet sot 13 prill 2022, ora 18.00, deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit.

Në bursa, një litër naftë po tregtohet me 106 dollarë për fuçi, nga rreth 100 dollarë që ishte kur Bordi mori vendimin e fundit në datën 8 prill.

Në fillim të muajit mars, çmimet e naftës në vend shënuan nivele rekord prej rreth 260 lekë për litër, ndërsa me fillimin e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës në bursa karburanti arriti në 130 dollarë. Në javën e parë të marsit u krijua Bordi i Transparencës nga qeveria, i cili vendos periodikisht çmimet tavan të shumicës dhe pakicës, mbi të cilin tregtuesit nuk mund të operojnë.

Operatorët e tregut ankohen se me këto ndërhyrje, Bordi po nxjerr jashtë loje tregun e lirë, duke u hequr mundësinë kompanive të zbusin lëvizjet e çmimeve, që varen nga faktorë të shumë si çmimi ditor, kursin e këmbimit, duke bërë që bizneset jo vetëm të mos fitojnë, por edhe të shesin nën kosto.

Çmimi tavan i tregtimit me shumicë:
    -214 Lekë/litri për gazoilin;
    -197 Lekë/litri për benzinën;
    -103 Lekë/litri për gazit të lëngshëm të naftës.

Çmimi tavan i tregtimit me pakicë:
    -226 Lekë/litri për gazoilin;
    -209 Lekë/litri për benzinën;
    -115 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).