Të izoluar prej një jave, rrëshqitja e dherave bllokon 600 banorë të fshatit Probat në Elbasan
Rrëshqitja e dherave ka bllokuar prej një jave qindra banorë të fshatit Probat në Elbasan. Bashkia dërgoi atje një fadromë por ajo u prish, e banorët mbetën sërish të izoluar. Ata apelojnë ndaj bashkisë që të ndërhyjë seriozisht për ta bërë të kalueshme rrugën.
Prej një jave rruga që lidh fshatin Probat me Elbasanin është e bllokuar. Rrëshqitja e dherave bëri që 600 banorët e fshatit të izolohen tërësisht.
Bashkia e Elbasanit e dërgoi një mjet për ta hapur rrugën por ai u prish dhe rruga nuk u hap.
Vetë banorët shprehen se u mobilizuan për ta hapur një pjesë të saj, ndërsa akuzojnë institucionet për neglizhencë.
"E kemi tre orë larg, nuk është investuar asnjëherë".
"Shumë problem është sepse ka shumë njerëz që jetojmë këtej, fugonat nuk vijnë lart sepse u prishet dhe ndalojnë na lënë në mes të rrugës".
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme pasi rruga për ta është jetike.
"Bënë projektin dhe thanë do të vendosin tuba, ia sic ka rënë uji këtu brenda, edhe nuk u bë. Premtime për të bërë këtë rrugë ka pasur vetëm në prag votimesh, por kanë vetëm sa marrin votat."
Nga ana e Bashkisë ende nuk ka asnjë datë se kur mund të kryhet lëvizja e mjetit dhe si rrjedhojë zhbllokimi i rrugës e deri atëherë banorët do të mbesin të izoluar.

