Aksidentet rrugore, Luzi: Gjobat kanë bërë që shoferët të zbatojnë rregullat. Autostradat duhet të kenë ndriçim

Eksperti Arben Luzi, është shprehur se puna e policisë ka ndikuar në uljen e aksidenteve rrugore, ndërsa ka shtuar se gjobat e vendosura kanë ndikuar në ndërgjegjësimin e shoferëve.

Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Arnold Kariqi, Luzi i pyetur se a po çrrënjoset korrupsioni në polici, tha se kjo është çështje e tyre përbrenda dhe sipas tij nuk ka lidhje me aksidentet rrugore.

Arben Luzi: Puna e policisë ndikon jo pak në uljen e aksidenteve rrugore. Gjoba ka bërë që shumë veta që ta vendosin rripin. Ka një pakicë që nuk e vendosin por çdo ditë ata ndëshkohen me anë të procesverbaleve dhe çdo ditë futen në kontigjentin e rrip-përdoruesve. Mendoj se është arritur diçka e mire në këtë drejtim.

Pyetje: A po çrrënjoset korrupsioni në policinë rrugore?

Arben Luzi: Këto janë arritje të policisë brenda përbrenda, jo në rritjen e sigurisë rrugore. Në Tiranë, ka pasur ndryshme të theksuara në lidhje me kryerjen  e shërbimeve  të policisë rrugore, mos bllokimin e rrugëve. Duhet të dimë që një pjesë të policisë rrugore e konsumojnë dhe shkollat paradite.

Ndër të tjera ai tha se në rrugë më të rrezikuar janë drejtuesit e biçikletave dhe çiklomotorëve, për shkak të infrastrukturës.

Arben Luzi: Drejtuesit e biçikletave dhe të çiklomotorëve janë tejmase të rrezikuara, qoftë në rrugët urbane, qoftë në rrugët interurbane.

Ndërkohë teksa ka folur për fikjen e dritave në akset rrugore për të kursyer energjinë elektrike, nismë kjo e ndërmarrë nga qeveria, Luzi u shpreh:  Sipas përcaktimit të rrugës, klasifikimit të rrugës, autostradat duhet të kenë ndriçim, ndërsa rrugët interurbane dytësorë, duhet të jenë me tabela dhe sinjalizime ndriçuese. Po  shikojmë çdo ditë ndryshime me infrastrukturën rrugore. ARRSH ka shumë për të punuar në këtë drejtim.

Përgatiti Anila Kolgjini.