“Benzema meriton Topin e Artë. Kam vite që e them dhe më kritikojnë”

Në një intervistë të gjatë e cila do të publikohet së shpejti e plotë nga Sky Italia dhe ku intervistuesi ishte Alex Del Piero, ish Fenomeni Ronaldo i është rikthyer debatit për Topin e Artë.

Ish sulmuesi brazilian në fakt e ka thënë disa herë më parë në disa intervista se Karim Benzema meriton Topin e Artë por duke parë ecurinë e Lewandowskit dhe Messit nuk ia kanë vënë veshin dhe në intervistën e fundit ai e ripërsërit me bindje.

“Benzema? Ai e meriton Topin e Artë, e kam thënë prej vitesh dhe më kanë kritikuar... por ai e meriton, është një sulmues i madh. Për Championsin, Real Madridi është favorit edhe pse ata nuk po kalojnë shumë mirë por janë në simbiozë me këtë kompeticion dhe më pas kanë Ancelottin në pankinë, i cili është një nga më të mirët në botë”, u shpreh braziliani Ronaldo.

Gjithsesi tashmë dhe me ndryshimin e rregullave të Topit të Artë që është bërë ne bazë të paraqitjeve personale gjatë sezonit dhe fitimit të trofeve deri në Shtator, Benzema do të jetë sigurisht favorit për këtë çmim prestigjoz./Ora News/.