Vanoli beson ende te mbijetesa. Çela: Duhet të shmangim playoff-in
Po zerohen shanset për Dinamon për të qëndruar në Superiore por për Vanolin ka ende shpresa. Trajneri i Dinamos merr përgjegjësitë për ndeshjet që po drejton por ai mendon se çështja e mbijetesës nuk ka përfunduar dhe se skuadra duhet dhe e ka përgjetjësi të jape maksimumin.
“Mendoj se në këto tre ndeshje skuadra ka gabuar vetëm kundër Egnatias. Sot ekipi u paraqit mirë, ndryshuam skemë, tentuam të jemi më sulmues, por nuk arritëm nivelin që patëm kur ishim më mbrojtës. Janë situata kur mjafton edhe një gjysmë gjuajtje për të pësuar gol. Urime kundërshtarit, ata nuk vodhën asgjë, bënë ndeshjen e tyre. Është një problem i madh golat e pësuar. Si ndaj Tiranës, Egnatias dhe sot, pothuajse janë gabimet tona te golat e pësuar. Mund të pësosh gol, por jo t’u falësh gola kundërshtarëve. Mbijetesa? Jo, nuk është çështje e mbyllur. Nuk është se djemtë nuk po luftojnë. Do të japim maksimumin, unë flas për këto tre ndeshje, nuk mund të flas për atë që ka ndodhur përpara. Duhet të besojmë deri në fund, të japim maksimumin, pasi kemi detyrime ndaj presidencës dhe tifozëve”, tha trajneri italian në fjalën e tij pas ndeshjes.
Në kampin tjetër, arkitekti i Kastriotit fantastik lavdëroi ekipin për fitoren dhe atë që skuadra po bën në fushë në këto ndeshje. Trajneri Çela gjithashtu kërkoi nga ekipi që të shmanget me çdo kusht faza playoff.
“I kishim studiuar mirë lojtarët e Dinamos. Edhe ata luajtën mirë, por nuk ishin agresivë në metrat e fundit dhe kjo edhe për meritë tonën. Në zonë jemi të fortë me Selmanin dhe Didën dhe gjithçka që përgatitëm doli, pastaj është edhe fati se ndeshja ndryshon nga momenti në moment. E menaxhuam, ishim në ekuilibër dhe falë Zotit ia dolëm. Mbijetesa e siguruar? “Nuk kemi siguruar asgjë, kemi një kundërshtar me lojtar dhe trajnerë të mirë si Egnatia. Duhet të shmangim Play-Off, do të bëhet një garë e bukur dhe e fortë. Të qëndrojmë me këmbë në tokë, këta çunat në javët e para kanë qenë të ofenduar nga rezultate. Jo nga persona të veçantë, por nga ajo që puk po arrinin, gjeta çuna të inatosur dhe kjo më ndihmoi. Iu them se duhet të dimë të sillemi dhe të ndajmë punën, kanë bërë shumë mirë. Janë treguar profesionistë dhe jashtë pune jemi miq e flasim përe çdo problem. Ka qenë shumë e rëndësishme kjo pjesë, kemi punuar shumë. Kemi bërë analiza profesionale dhe jam i kënaqur. Është edhe fat kur të ndjekin lojtarët”, deklaroi trajneri Emiljano Çela në reagimin pas ndeshjes.
