Edhe Dinamo pranë rënies, humbet betejën e mbijetesës me Kastriotin
Për të ardhur keq që pas Skënderbeut, duket se do të jetë Dinamo që do ta shoqërojë në Kategorinë e Parë. Dy emra të rëndësishëm të futbollit shqiptar por kështu në fakt është futbolli.
Sot Dinamo pesoi një humbje shumë të rëndë teksa u mund 1-0 nga Kastrioti në “Elbasan Arena”, në një ndeshje të tensionuar dhe shumë të luftuar.
Nuk e luajti keq ndeshjen ekipi kryeqytetas që rrezikoi disa herë portën në pjesën e parë me Haxhiun në 18’, dhe Ibraimi në 48’.
Edhe në pjesën e dytë, insistuan më shumë vendasit ku Ibraimi ishte më i rrezikshmi dhe duhet thënë se në momentin më të mirë të tyre u ndëshkuan nga Kastrioti.
Në 66’, mbrojtësi Selmani dënon Dinamon me një gol që mund edhe të shmangej nga mrojtësi në vijën fatale. Përpiqen blutë për të shënuar golin e dytë por nuk ia dalin dhe tashmë mund të konsiderohen me një këmbë në Kategorinë e Parë./Ora News/.
