Suedia injoron kërcënimet e Rusisë, do të aplikojë për t’u anëtarësuar në NATO në qershor
Suedia duket se nuk i trembet kërcënimeve të Rusisë, të mërkurën qeveria e Anderson tha se do të aplikojë për t’u anëtarësuar në NATO në muajin qershor. Vendimi ndjek kërcënimin me luftë nga ana e Moskës.
Suedia duket se ka hedhur pas të gjitha kërcënimet e ardhura nga Moska.
Kryeministrja Magdalena Anderson tha të mërkurën se Suedia do të aplikojë për t’u anëtarësuar në NATO në qershor të këtij viti.
Partia Socialdemokrate në pushtet ka qenë tradicionalisht kundër anëtarësimit të Stokholmit në Aleancën Mbrojtëse.
Të mërkurën, edhe Finlanda foli për anëtarësimin e mundshëm të vendit në NATO.
Deputetët e parlamentit finlandez do të vendosin javën e ardhshme lidhur me hyrjen në Aleancë.
Të martën, zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitri Peskov tha se anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës përbënte kërcënim për Rusinë.
Sipas zyrtarit rus, anëtarësimi i dy vendeve nordike do të sillte destabilitet në kontinentin evropian.
Gjatë shkurtit të këtij viti edhe Ministria e Jashtme ruse i paralajmëroi të dy vendet me pasoja ushtarake e politike nëse vendos t’i bashkohet bllokut të NATO-s.
Finlanda e Suedia kishin vendosur të qëndronin neutrale ushtarakisht deri në momentin që trupat e Moskës u futën në Ukrainë.
Të dy shtetet e kanë miratimin e plotë të Uashingtonit për t’iu bashkuar 30 vendeve anëtare të NATO-s.
Zyrtarët e Departamentit të Shtetit thanë javën e kaluar se kishin zhvilluar diskutime midis liderëve të NATO-s dhe ministrave të jashtëm nga Helsinki e Stokholmi.
