Udhëheqësi çeçen kërkon dorëzimin e marinsave ukrainas në Mariupol: Jepini fund rezistencës së kotë!
Udhëheqësi çeçen,Ramzan Kadyrov, tha të mërkurën se më shumë se 1,000 marinsa ukrainas të vendosur në Mariupolin e rrethuar ishin dorëzuar dhe u bëri thirrje forcave të tjera ukrainase që ishin strehuar në fabrikën e çelikut Azovstal të bënin të njëjtën gjë.
Zyrtarët ukrainas nuk kanë komentuar ende postimin e Kadyrov në Telegram.
Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës njoftoi të mërkurën në mëngjes se forcat ruse po vazhdojnë ofensivën e tyre kundër Azovstal dhe qytetit port të Mariupol, të cilin ata e kanë rrethuar prej javësh.
Televizioni rus transmetoi pamjet e marinsave duke ikur nga fabrika e Illich Iron and Steel Works në Mariupol dhe duke iu dorëzuar forcave ruse të martën, shumë prej tyre të plagosur.
Imazhet e tjera tregojnë, sipas televizionit rus, ushtarë ukrainas duke ecur në një rrugë me duart lart. Njëri prej tyre mban një pasaportë ukrainase.
Nuk është e qartë se cilën fabrikë Azovstal apo Illich Iron and Steel Works ka dashur të thotë Kadyrov në postimin e tij.
"Aktualisht ka rreth 200 njerëz të plagosur brenda Azovstal të cilët nuk mund të marrin trajtim mjekësor," tha udhëheqësi çeçen.
“Do të ishte më mirë si për ata ashtu edhe për të tjerët që t'i jepnin fund kësaj rezistence të kotë dhe të shkonin në shtëpi te familjet e tyre".
Kadyrov është një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin dhe ka vendosur shumë nga luftëtarët e tij në Ukrainë, duke mbështetur forcat ruse.
Në një postim të mëparshëm, ai premtoi se forcat e tij do të pushtonin Mariupolin dhe do të avanconin në qytete të tjera të Ukrainës, përfshirë Kievin.
