Roman Abramovich mund të lërë një pasues edhe nëse Chelsea shitet
Roman Abramovich është shumë pranë largimit përfundimtar nga Chelsea. Klubi londinez ka marrë disa oferta që po vlerësohen për të shitur aksionet e “Bluve të Londrës” por edhe në këtë rast manjati rus mund të ketë një pasues të tij brenda shoqërisë madje dhe me përgjegjësi.
Bëhet fjalë për Marina Granovskaia, personi më i fuqishëm te Chelsea deri para shpërthimit të luftës, ajo që merrte çdo vendim për largime, shkarkime, blerje apo shitje në klubin anglez.
Siç mësohet sot, shefes së klubit londinez do t'i ofrohet mundësia për të mbajtur rolin e saj nga kuarteti i blerësve që do të dorëzojnë ofertat e tyre përfundimtare për të blerë Chelsean këtë javë. Ndërkohë që afati i fundit për dorëzimin e ofertave për blerjen e Chelseat ishte caktuar sot por është shtyrë me disa ditë.
Granovskaia punoi përkrah Roman Abramovich gjatë gjithë karrierës së tij. Përpara se t'i bashkohej bordit të drejtorëve të Chelsea në 2003, ajo punoi për kompaninë e naftës Sibneft që nga viti 1997 dhe ka qenë konsulente e oligarkut rus për 18 vitet e fundit. Për Blutë, ajo ishte në krye të menaxhimit të të gjitha operacioneve të përditshme të klubit, dhe më shumë njihej dhe si pronarja jo zyrtare e klubit.
Duke parë një punë të mirë që ka bërë ajo si menaxhere, sipas The Athletic, të katër blerësit e mundshëm, duke përfshirë pronarin e Los Angelses Dodgers, Todd Boehly, familjen Ricketts dhe një konsorcium të udhëhequr nga Sir Martin Broughton, do të kërkojnë të mbajnë 47-vjeçaren ruso-kanadeze në rolin e saj aktual./Ora News/.
