Greqia ‘braktis’ Agjendën e Gjelbër, do të kërkojë naftë dhe gaz në Detin Jon dhe atë të Kretës

Rritja e çmimeve të energjisë si pasojë e luftës në Ukrainë kanë detyruar Greqinë që t’i rikthehet kërkimit të hidrokarbureve në det.  Kryeministri i vendit Micotaqisit pritet ta publikojë të martën planin për kërkimin e tyre në përpjekje për të shmangur furnizimin me gaz rus.

Kriza në Ukrainë ka detyruar Greqinë t’i rikthehet taktikës së vjetër të kërkimit të hidrokarbureve në det pas shqetësimeve për rritjen e çmimit të energjisë dhe ndërprerjes së furnizimit me gaz rus. 

Gazi rus mbulon 40% të kërkesës vjetore të Greqisë, e cila e ka detyruar shtetin helen që të shfrytëzojë burimet e brendshme.

Kryeministri Qirjakos Micotaqis pritet të shpallë të martën planin për rifillimin e kërkimeve të gazit dhe naftës në Detin Jon dhe atë të Kretës deri në vitin 2029, një vit përpara 2030-s, e cila përkon edhe me të ashtuquajturën Agjenda e Gjelbër të Bashkimit Evropian.

Greqia ka prodhuar sasi të vogla nafte në të shkuarën, por për shkak të çmimit të saj të ulët dhe Agjendës së Gjelbër evropiane planet e kërkimit janë bllokuar.

Kompanitë helene të kërkimit të energjisë në det pretendojnë se kanë vënë piketat e qarta për evidentimin e çdo rezerve nafte e gazi, të cilat paraprakisht mësohen të jenë në perëndim dhe jugperëndim të Ishullit të Kretës.

Agresioni rus në Ukrainë dhe frika për bllokimin e furnizimit të Evropës me gaz rus ka sjellë një rritje galopante të çmimeve, për të cilat BE-ja po gjen mekanizma për të reduktuar varësinë e saj nga energjia ruse përpara vitit 2030.