Pashkët, Greqia hap kufirin për të pa-vaksinuarit

Që nga 1 maji qytetarët shqiptarë, por edhe ata të vendeve të tjera do të mund të hyjnë në territorin grek pa qenë të vaksinuar.

Sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë helene, as testi negativ për Covid-19 nuk do të jetë i nevojshëm për të hyrë në shtetin fqinj.

Heqja e masave, sipas autoriteteve vendase, do të aplikohet një javë pas Pashkës Ortodokse, në 1 maj dhe do të zgjasë deri në fund të gushtit, ku kufizimet pritet të rishikohen sërish me frikën e një rritjeje të rasteve të reja në stinën e shtatorit siç ka ndodhur të paktën në 2 vite pandemi.

Heqja e kërkesës të pasaportës së vaksinimit ndjek uljen e ndjeshme të rasteve pozitive dhe humbjeje të jetës.

Sigurisht që edhe si pasojë e një rënie ekonomike në dy stinët e verës që lamë pas, këtë vit qeveria e Micotaqisit ka menduar që të fitojë para nga ato të pa-vaksinuarve duke i lënë të futen në territorin grek.

Ndërkohë sa u përket masave brenda vendit, përveç maskës mbrojtëse e cila pritet të qëndrojë në fuqi në ambientet e mbyllura, grekëve nuk do t’u duhet më të testohen për Covid apo të paraqesin pasaportën e vaksinimit për të frekuentuar baret, restorantet apo ambiente të tjera me prani të lartë personash.