Britania sanksionon dy politikanë serbë të Bosnjës

Britania e Madhe vendosi të minimizojë shanset për shkëputjen e Republika Srpskas nga Bosnje Hercegovina duke sanksionuar Millorad Dodikun dhe presidenten e entitetit serb. Masa pritet të ndiqet nga Bashkimi Evropian, e cila nuk mund të miratohet për shkak të vetos së Hungarisë.

Ndërsa Bashkimi Evropian është ende në mëdyshje, qeveria e Boris Johnson po tenton të parandalojë ndarjen e Republika Srpskas nga pjesa tjetër Bosnje Hercegovinës.

Britania e Madhe ka shpallur non-grata anëtarin serb të presidencës boshnjake Millorad Dodik dhe presidenten e këtij entiteti në Republikën Serbe, Zhelka Cvijanoviç.

Gjithashtu, sipas vendimit të së hënës, janë ngrirë dhe asetet e tyre financiare.

Në arsyetimin e saj, sekretarja e Shtetit për Punët e Jashtme, Liz Truss thotë se dy serbët kanë përshkallëzuar shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnje Hercegovina.

Truss: Të inkurajuar nga sistemi i Rusisë për minim e ligjeve ndërkombëtare, dy individët kanë përdorur pozitat e tyre për të çuar përpara shkëputjen de facto të Republikës Srpska nga Bosnje Hercegovina në kundërshtim të plotë me kushtetutën boshnjake.

Në 5 janar të këtij viti edhe Shtetet e Bashkuara e vendosën Dodik në listën e zezë duke e shpallur ‘Non-grata’ dhe duke i ngrirë asetet bankare.

Sipas Uashingtonit, Dodik ka minuar stabilitetin e Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimit ndaj Marrëveshjes së Dejtonit e cila i dha fund luftës në Bosnje.

Në shkurt, një muaj më vonë edhe Bashkimi Evropian u zotua që të ndërmerrte hapa të njëjta për të parandaluar shkëputjen e entitetit serb nga pjesa tjetër e Bosnje-Hercegovinës, por vetëm në letër.

Pas fitores së Viktor Orban, Millorad Dodik e mori garancinë e plotë për mos sanksionimin nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, për shkak të vetos që Budapesti mund të vendosë.

Qeveria hungareze tha se do të rriste bashkëpunimin me Republika Srpskan dhe se nuk kishte ndërmend të sanksiononte Dodikun, apo t’i bashkohej ndonjë pakete të Bashkimit Evropian.