Vuçiç: Nën presion votuam për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së
Pas votimit pro të Serbisë në Kombet e Bashkuara për pezullimin e Rusisë, presidenti Vuçiç ka dalë me urgjencë për të justifikuar votën e Beogradit, për të cilën ai pretendon se është shantazhuar për të hequr dorë nga abstenimi.
Serbia ka dashur të abstenojë nga votimi për pezullimin e Rusisë nga Kombet e Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka deklaruar presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
Ai shtoi se ndaj Beogradit ka pasur presion të vazhdueshëm që të votojë pro pezullimit.
Vuçiç: Vendimi ynë ka qenë që të jemi të përmbajtur, dhe pastaj erdhën presione të panumërta, të rënda, që nuk kanë të bëjnë me mua personalisht, askush nuk më ka shantazhuar, por ata po kërcënonin Serbinë. Thoshin 'a e dini se sot ose nesër do të përjashtohemi nga pakoja e sanksioneve të Bashkimit Evropian për naftën.'
OKB-ja vendosi të enjten që të pezullojë Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut për shkak të masakrës së civilëve në Buça të Ukrainës.
Vuçiç thotë se Serbia është drejt rrugës evropiane, por nuk e fsheh dashurinë që ka për Moskën.
Vuçiç: Ne jemi një shtet neutral ushtarakisht, por nuk jemi një shtet politikisht neutral, ne jemi në rrugën evropiane. Më pëlqen Perëndimi, e dua shumë Rusinë, por Serbinë e dua më së shumti në botë.
Në këtë drejtim, presidenti i Serbisë thotë se kërcënimi me sanksione dhe ndalimi i rrugës evropiane po qëndron pezull për shkak të qëndrimit të Beogradit ndaj Moskës.
Ai përsëriti se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Më herët BE ka bërë thirrje të vazhdueshme që t’i bashkohet qëndrimit të vendeve të tjera të bllokut sa i përket pakove të sanksioneve.
