Shkup/ Dorëhiqet sekretari i qeverisë, akuzohet për shpërdorim të detyrës. 800 mijë € dëm në buxhetin e shtetit

Sekretari i përgjithshëm i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zeqiri u dorëhoq pas urdhër ndalimit të nxjerrë ndaj tij nga prokuroria e Shkupit.

Ai akuzohet për shpërdorim të detyrës, duke shkaktuar rreth 800 mijë euro dëm buxhetit të shtetit. Në një postim në rrjetet sociale, ai mohoi akuzat ndërsa kryeministri maqedonas kërkoi hetim transparent.

Skandali i abuzimit me fondet shtetërore me një dëm rreth 800 mijë euro është bërë shkak për dorëheqjen e sekretarit të përgjithshëm të qeverisë së Maqedonisë së Veriut Muhamed Zekiri, ndaj të cilit gjykata penale e Shkupit ka lëshuar edhe një urdhër ndalimi.  Në mesazhin e dorëheqjes nga detyra, vetë Zekiri mohoi të ketë kryer vepra që bien ndesh me drejtësinë.

 “Besoj në institucionet e sistemit, besoj në drejtësi dhe besoj se e vërteta do dal në shesh. Të gjitha institucioneve ju qëndroj në dispozicion në çdo kohë për të dëshmuar pafajësinë time”, shkruan mes tjerash Zekiri.

Sipas hetimeve të prokurorisë së Maqedonisë së Veriut, ekzistojnë dyshime të bazuara se ish-zyrtari i qeverisë, Muhamed Zekiri si funksionar i lartë në ekzekutiv, ka kryer veprën penale shpërdorim të detyrës zyrtare nga neni 353 paragrafi 5, nga Kodi Penal, duke ndihmuar edhe dy të dyshuarit e tjerë për këtë çështje.

Me veprimet e ndërmarra, të dyshuarit kanë përfituar në rrugë ilegale një vlerë të përgjithshme 57,932,100,00 denarë në dëm të buxhetit të shtetit, shumë që përkon me mbi 795 mijë euro.

Në dhjetor të vitit 2016, Muhamed Zeqiri kandidoi si pjesë e LSDM-së dhe u zgjodh deputet i legjislaturës për periudhën 2016-2020 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Në shtator të vitit 2016, ai u bë anëtar i Bordit Ekzekutiv dhe Qendror të LSDM-s. Formulimi I akt-akuzës ndaj Zekirit ka shkaktuar reagime të forta në Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski i pëshëndeti dorëhqejn e Zekirit dhe tha se pret  një procedurë transparente dhe të pavarur nga Prokuroria dhe organet e drejtësisë dhe respektim të plotë të prezumimit të pafajësisë. Nga ana tjetër partitë e opozitës shfrytëzuan këtë rast për të akuzuar qeverinë për keqpërdorimin e fondeve.