Arrestohet ish-sekretari i qeverisë maqedonase në paraburgim, Muhamed Zeqiri
Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri është arrestuar me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Prokuroria dyshon se Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë në periudhën nga prilli 2021 deri në janar 2022, ka lidhur kontratë për shërbime konsulence me një kompani që kap vlerën e përgjithshme prej rreth 1 milionë euro.
Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri, mesnatën e së enjtes është dërguar në burgun e Shkupit, pasi Gjykata Themelore i komunikoi masën e paraburgimit prej 30 ditëve.
Zeqiri dyshohet se ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar dhe ka të bëjë me dyshimet për abuzim lidhur me një kontratën për shërbime konsulence.
Gjyqtari i procedurës paraprake vendosi masën e paraburgimit pasi sipas komunikatës së Gjykatës, “ekziston rreziku i arratisjes, zhdukjes të gjurmëve apo ndikimit të dëshmitarëve, si dhe rrezikut që ai të përsërisë veprën”.
Prokuroria dyshon se Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë në periudhën nga prilli 2021 deri në janar 2022, pa procedurë të prokurim publik, ka lidhur kontratë për shërbime konsulence me një kompani që kap vlerën e përgjithshme prej rreth 941, 985 euro, që është rreth 147,000 më shumë se shuma e paraparë.
Vepra dyshohet të jetë kryer së bashku me dy shtetas kroatë, të cilëve gjithashtu iu shqiptua masa e paraburgimit, por meqë ata nuk ndodhen në Maqedoninë e Veriut, paraburgimi do të hyjë në fuqi pas ndalimit të tyre.
Pas njoftimit të prokurorisë për hapjen e hetimeve, Zeqiri dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm. Në njoftimin e publikuar, ai tha se ka besim se do të vërtetojë pafajësinë e tij.
Dorëheqja e tij është pranuar nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski i cili tha se e respekton vendimin si akt të përgjegjësisë politike dhe tha se pret një hetim plotësisht transparent dhe të pavarur nga prokuroria dhe drejtësia.
