Vuçiç ‘lëshon’ Dodikun kundër Kurtit: Po destabilizon rajonin e Ballkanit Perëndimor

Derisa presidenti i zgjedhur i Serbisë të rimarrë veten nga fushata, në sulm kundër Albin Kurtit dhe Kosovës, është hedhur anëtari serb në presidencën boshnjake Millorad Dodik, ky i fundit e ka akuzuar kryeministrin si destabilizues të rajonit.

Albin Kurti është kthyer në shënjestrën edhe të serbëve të Bosnje Hercegovinës.

Përmes një deklarate për medie, anëtari serb i Bosnjës, Millorad Dodik e ka quajtur kryeministrin Kurti destabilizues të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Dodik: Albin Kurti duhet të ndalojë destabilizimin e provincës jugore të Serbisë dhe njëherazi të gjithë Ballkanin Perëndimor. Duke bërë këtë, i gjithë Ballkani do të jetë i qetë.

Deklarata e Dodik, vjen pasi kryeministri Kurti foli për Republikën Serbe në Bosnje Hercegovinë, për të cilën tha se është destabilizuesja e rajonit.

Njësoj si establishmenti serb, ai e ka quajtur Kurtin mashtrues dhe Kosovën një shtet të rremë.

Dodik: Nuk pritet asgjë përveç gënjeshtrave nga kryeministri i rremë i shtetit të rremë. Kurti njihet si njeri që nuk i respekton marrëveshjet dhe që destabilizon jugun e Serbisë herë pas here dhe tani i ka dhënë vetes të drejtën për të dhënë mend në rajon.

I pari i Republika Srpskas i ka mëshuar idesë së tij për ndarjen nga territori i Bosnje Hercegovinës dhe bashkimin e saj me Serbinë.

Dodik: Kur Kurti guxon të komentojë Republika Srpskan, atëherë do të ishte më e udhës që Republika Serbe të gëzojë të njëjtin status si Kosova.